Trump dhe liderët e 19 vendeve e nënshkruan dokumentin e themelimit të Bordit të Paqes

Davos, 22 janar 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe liderët e 19 vendeve të botës nënshkruan sot në Davos të Zvicrës deklaratën për themelimin e Bordit të Paqes. Në mesin e nënshkruesve ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Urime President Trump, statuti tani është në fuqi të plotë, dhe Bord i Paqes është tani një organizatë ndërkombëtare zyrtare,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë ceremonisë së nënshkrimit.

Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaratën e pjesëmarrjes në Bordin e Paqes sot e nënshkuan përfaqësuesit e 19 shteteve: Argjentinës, Armenisë, Bullgarisë, Bahrejnit, Azerbajxhanit, Hungarisë, Indonezisë, Jordanisë, Kazakistanit, Katarit, Kosovës, Marokut, Pakistanit, Paraguait, Arabisë Saudite, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Uzbekistanit dhe Mongolisë.

Nënshkruesit e deklaratës:

  • Arabia Saudite — ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al Saud
  • Argjentina — presidenti Javier Milei
  • Armenia — kryeministri Nikol Pashinyan
  • Azerbajxhani — presidenti Ilham Aliyev
  • Bahreini — sheiku Isa bin Salman Al Khalifa
  • Bullgaria — kryeministri Rosen Zhelyazkov
  • Emiratet e Bashkuara Arabe — kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak
  • Hungaria — kryeministri Viktor Orban
  • Indonezia — presidenti Praboëo Subianto
  • Jordania — zëvendëskryeministri Ayman Safadi
  • Katari — kryeministri Sheiku Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani
  • Kazakistani — presidenti Kassym Jomart Tokayev
  • Kosova — presidentja Vjosa Osmani
  • Mongolia — kryeministri Gombojavyn Zandanshatar
  • Maroku — ministri i Jashtëm Nasser Bourita
  • Pakistani — kryeministri Shehbaz Sharif
  • Paraguai — presidenti Santiago Pena
  • Turqia — ministri i Jashtëm Hakan Fidan
  • Uzbekistani — presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev

Në ceremominë e nëshkrimit morën pjesë liderë të mbi 30 vendeve të botës dhe organizatave ndërkombëtare.

 

Rubio e lavdëron Bordin e Paqes

Pas nënshkrimit të deklaratës nga të gjitha vendet tashmë anëtare të kësaj nisme, fjalën e mori  sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Rubio e lavdëroi Bordit e Paqes dhe ia atribuoi Trumpit meritat për themelimin e tij.

“Ai [Trump] nuk kufizohet nga disa nga gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën dhe është i gatshëm të flasë ose të angazhohet me këdo në interes të paqes”, tha Rubio.

Rubio theksoi se detyra e këtij bordi, “së pari dhe kryesisht”, është “të garantojë se kjo marrëveshje paqeje në Gazë do të bëhet e qëndrueshme”.

Pastaj, Rubio tha se mund të shikojë edhe drejt vendeve të tjera.

Rubio tha se tani është duke u punuar në detajet e veprimitarisë së Bordit të Paqes.

Mladenov bën thirrje që edhe tjerët t’i bashkohen Bordit

Një fjalim të shkurtër pas nënshkrimit e ka mbajtur edhe diplomati bullgar dhe ish-ministri i Jashtëm, Nikolay Mladenov, i cili do të udhëheqë administratën kalimtare në Rripin e Gazës.

Ai do të mbajë postin e përfaqësuesit të lartë për Gazën. Në fjalën e tij, Mladenov u ka bërë thirrje edhe vendeve tjera që t’i bashkohen Bordit të Paqes.

Osmani: Kosova është aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte e vetmja e vetmja grua në mesin e liderëve të mbi 30 vendeve që morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës së Bordit të Paqes në Davos.

Para nënshkrimit të deklaratës, Presidentja Osmani dhe Presidenti Trump i shtërnguan duart, në shenjë respekti dhe mirëkuptimi reciprok lidhur me nismën. Presidentja Osmani i foli diçka Presidentit Trump e pastaj të dy i shtërnguan duart përsëri, në shenjë miratimi.

Tër mërkurën Osmani tha se ajo është “thellësisht e nderuar” që nga Presidenti Trump mori ftesë për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese. Ajo e cilësoi si “iniciativë historike” nismën e Presidentit Trump për paqe globale dhe theksoi se Kosova është “aleate e palëkundur” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta çuar më tej paqen.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, tha Osmani.

“Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike”, shtoi ajo.

“Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, theksoi Osmani.

Çfarë parasheh anëtarësimi në Bordin e Paqes?

 

Disa media ndërkombëtare, duke u thirrur në burime, kanë raportuar se Trump dëshiron që shtetet të paguajnë 1 miliard dollarë për të qenë anëtarë të përhershëm. Sipas CNN-it, ata që nuk e paguajnë këtë shumë do të kenë një mandat trevjeçar.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina i tha Radios Evropa e Lirë më 21 janar se një pagesë e tillë nuk është kërkuar.

“Pra nuk është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh. E shihni edhe vet në ftesë”, tha ai.

Përveç Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar ftesën e Trumpit.

Ftesa të tilla kanë pranuar edhe udhëheqës të Izraelit, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit, Bahrejnit, Kanadasë, Argjentinës, Paraguajit, Azerbajxhanit dhe shteteve të tjera.

Trump ka ftuar po ashtu edhe Kinën dhe Rusinë. Por, jo të gjithë që kanë pranuar ftesën nga Trumpi janë zotuar për të qenë pjesë e Bordit. Ftesa për pjesëmarrje është refuzuar nga Franca dhe Suedia.

(r.m.)