Trump: Disa raketa të sistemeve “Patriot” tashmë janë rrugës për në Ukrainë

Uashington, 16 korrik 2025 – Një ditë pasi njoftoi se vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armë në Ukrainë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se disa raketa të sistemit të mbrojtjes ajrore “Patriot” tashmë janë rrugës për në Ukrainë,.

“Ato po vijnë nga Gjermania”, u tha Trump gazetarëve mbrëmjen e së martës, pa dhënë më shumë hollësi.

Donald Trump e ndryshoi qëndrimin e tij rishtazi, pasi më herët ishte kundër dërgimit të armëve amerikane në vendin e përfshirë nga lufta

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se janë duke u bërë përgatitje për t’ia dorëzuar Ukrainës dy sisteme “Patriot”.

“Gjermania do të paguajë për dërgimin e tyre, por hollësitë përfundimtare teknike, logjistike dhe financiare nuk janë qartësuar ende”, tha Pistorius të hënën, pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon.

Ai shtoi se hollësitë “duken të zgjidhshme për të dyja palët, kështu që do të fillojmë punën shpejt dhe theksoi se Ukrainës i nevojiten urgjentisht sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Trump tha se nuk ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që nga dita e hënë, kur njoftoi se Rusisë i kishte dhënë 50 ditë afat që ta pranojë një marrëveshje armëpushimi për ta shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që bëjnë tregti me Rusinë. Ai nuk tha nëse janë planifikuar bisedime për të arritur një marrëveshje, por e mbrojti afatin kohor.

“Në fund të 50 ditëve, nëse nuk kemi një marrëveshje, do të jetë shumë keq”, tha Trump, por shtoi se mund të mos nevojiten 50 ditë për të arritur një marrëveshje.

Trump mohoi raportimin e gazetës “The Financial Times” se ai e kishte nxitur privatisht Ukrainën t’i intensifikonte sulmet në thellësi të Rusisë.

“Jo, ai nuk duhet ta sulmojë Moskën”, tha Trump të martën, kur u pyet nëse Zelensky duhet të urdhërojë sulm ndaj kryeqytetit rus.

“The Financial Times”, duke iu referuar “burimeve të informuara”, raportoi se Trump e kishte pyetur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nëse ushtria ukrainase mund ta godiste Moskën po t’i jepte SHBA-ja armë me rreze të gjatë veprimi.

 (r.m.)