Trump e paralajmëron Putinin: Do të ketë pasoja nëse nuk respektohen interesat e SHBA-së për Ukrainën

Uashington, 3 shtator 2025 – Gjatë një takimi me presidentin e Polonisë, presidenti amerikan Donald Trump u përball me pyetje të vazhdueshme nga gazetarët lidhur me qëndrimin e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe luftën në Ukrainë.

Trump theksoi se nëse vendimet e Putinit për Ukrainën nuk përputhen me interesat e SHBA-së, do të ketë pasoja.

“Ai do të marrë një vendim dhe çfarëdo që të jetë, ne ose do të jemi të kënaqur ose jo. Dhe nëse nuk jemi të kënaqur, atëherë do të shihni që do të ndodhin gjëra,” deklaroi ai.

Kur një gazetar polak sugjeroi se Trump nuk ka reaguar seriozisht ndaj refuzimit të Putinit për të takuar Zelenskyn, ai reagoi me nervozizëm.

“Si e dini këtë? Si mund të jeni kaq i sigurt? A e dini vërtet çfarë ndodh pas skene?”, u shpreh ai, duke nënvizuar se SHBA ka vendosur tashmë sanksione ndaj Indisë, të cilat, sipas tij, kanë kushtuar qindra miliarda dollarë.

Trump shtoi se ende nuk ka aktivizuar “fazën dy” dhe “fazën tre” të sanksioneve, duke sugjeruar masa shumë më të forta nëse situata nuk ndryshon. Me tone të ashpra, iu drejtua gazetarëve.

“Nëse thoni se nuk ka veprim, ndoshta duhet të gjeni një punë të re”, u shpreh ai.

I pyetur për paradën ushtarake në Kinë, Trump tha se ceremonia ishte “shumë e bukur” dhe “tepër mbresëlënëse”. Ai shtoi se SHBA-ja duhet të përmendej në fjalimet e liderëve kinezë për ndihmën që, siç u shpreh, ia kanë dhënë Kinës për ta fituar “lirinë e saj”.

“E kuptova pse nuk e bënë këtë. Mendoj se donin që unë ta ndiqja. Dhe e ndoqa. Marrëdhëniet e mia me të gjithë janë shumë të mira. Do ta shohim se sa të mira janë javën që vjen ose pas dy javësh,” përfundoi Trump, duke lënë të nënkuptohet se zhvillimet e ardhshme do të jenë vendimtare.

(Panorama)