Uashington / Moskë, 19 maj 2025 – Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putinin, për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë.
Sipas agjencisë shtetërore ruse, TASS, Putin e ka cilësuar si “të hapur dhe përmbajtjesore” bisedën me presidentin Trump, e cila ka zgjatur më se dy orë.
“Presidenti amerikan e ka shprehur pikëpamjen e tij për ndërprerjen e armiqësisë, për armëpushimin, kurse unë, nga ana ime, kam theksuar se Rusia angazhohet për zgjidhje paqësore të krizës së Ukrainës. Thjesht, duhet të gjejmë mënyrat më efikase për arritjen e paqes, Ne vetëm duhet të gjejmë rrugët më efektive për të ecur drejt paqes”, citohet të ketë thënë Putin.
“Një armëpushim në Ukrainë për një periudhë të caktuar kohore është i mundur nëse arrihen marrëveshje të përshtatshme”, citohet të ketë shtuar Putin.
Reuters raporton se Putin ka biseduar me Trumpin nga një shkollë e muzikës në Soçi, në brigjet e Detit të Zi, të cilën e vizitoi të hënën, ndërsa Trump gjendet në Uashington.
Siç raportojnë agjencitë e lajmeve, dy liderët janë lidhur me telefon përmes linjave të kriptuara dhe biseda është zhvilluar me ndihmën e përkthyesve, pasi Putin flet anglisht, por për negociata flet vetëm rusisht.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për përfundimin e bisedës, por nuk ka dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e saj.
CNN raporton se Presidenti Trump ka zhvilluar më herët një bisedë telefonike edhe me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
(r.m.)