Uashington, 14 shtator 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që t’i ndalë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, në një kohë kur Rusia po i vazhdon sulmet e pandërprera në gjithë Ukrainën, përfshirë pranë kufirit me Poloninë.
“Ka plot shënjestra të tjera. Mos e goditni naftën”, u tha Trump gazetarëve më 13 shtator gjatë vizitës së tij në Irlandë.
“Duhet t’i ndalni goditjet ndaj naftës në Rusi”, tha ai.
Trump e tha këtë një javë pasi të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, e kishin vizituar Kievin dhe Moskën, në përpjekje për t’i afruar kryeqytetet ndërluftuese drejt një marrëveshjeje të negociuar.
Derisa të gjitha palët i kanë cilësuar bisedimet si “të rëndësishme”, dinamika në vijën e frontit nuk ka ndryshuar.
Rusia vazhdon ta sulmojë Ukrainën dhe ta godasë infrastrukturën civile, logjistike dhe energjetike të saj.
Ndërkohë, Ukraina ka vazhduar të përgjigjet duke goditur me dronë me rreze të gjatë shënjestra energjetike dhe ushtarake brenda Rusisë.
Kievi i ka quajtur këto sulme “sanksione me rreze të gjatë”, sepse synon t’ia kufizojë Moskës fitimin nga energjia dhe ta detyrojë atë të ulet për të biseduar.
Që nga fillimi i verës, sulmet me dronë ukrainas kanë shkaktuar mungesa të karburantit në gjithë Rusinë dhe kanë nxitur pakënaqësi te qytetarët e saj, të cilët ishin shkëputur nga lufta në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Rafineria e naftës e kompanisë ruse Gazprom Neft në Moskë, pranë kryeqytetit rus, u vu në shënjestër të dronëve ukrainas më 18 qershor.