Uashington / Jerusalem / Teheran, 24 qershor 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e konfirmoi se Izraeli dhe Irani e kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit, me sulmet reciproke pas përfundimit të afatit për ndërprerjen e armiqësive, të martën në mëngjes.
“Ata [iranianët] e kanë shkelur atë [armëpushimin], por edhe Izraeli e ka shkelur”, deklaroi Trump, para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për në Hagë të Holandës, për të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
“Ne, praktikisht, kemi dy vende që po luftojnë që një kohë të gjatë dhe aq fort, saqë ato nuk e dinë se çfarë dreqin po bëjnë”, deklaroi ai.
Trump shprehu zhgënjimin e tij për vazhdimin e sulmeve nga të dyja palët, ndërsa e shënjestroi Izraelin.
“Nuk jam i kënaqur me Izraelin”, tha ai.
“Sapo e arritëm marrëveshjen, Izraeli doli dhe lëshoi një mori bombash, aso që kurrë s’i kisha parë më herët, sasinë më të madhe që kemi parë”, u shpreh ai.
Trump e paralajmëroi Izraelin që të mos e shkel marrëveshjen e armëpushimit edhe përmes rrjeteve sociale.
“IZRAEL. MOS I LËSHO ATO BOMBA. NËSE E BËN, ËSHTË SHKELJE E MADHE. KTHE PILOTËT NË SHTËPI, TANI! DONALD J. TRUMP, PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA”, shkroi ai në platformën Truth Social.
Por, pak më vonë, në një postim tjetër në rrjetet sociale, Trump tha se Izraeli do t’i “kthejë mbrapsht” avionët e vet dhe do t’i ndalë sulmet.
“IZRAELI nuk do ta sulmojë IRANIN. Të gjithë avionët do të kthehen dhe do të nisen drejt shtëpisë… Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi!”, shkroi Trump nga avionit presidencial, në rrugë për në Hagë.
Presidenti Trump i bëri këto deklarata pasi Izraeli dhe Irani e akuzuan njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimin, pak orë pas hyrjes së saj në fuqi.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se Irani “e ka shkelur plotësisht” marrëveshjen. Ai theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj objektivave të forcave paramilitare dhe të forcave qeveritare në Iran.
Më herët, ushtria izraelite tha se më pak se, tri orë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit, ka shkatërruar dy raketa të lëshuara nga Irani.
Por, ushtria iraniane ka mohuar se ka lëshuar raketa ndaj Izraelit pas hyrjes në fuqi të armëpushimit. Televizioni shtetëror Iranian raportoi se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit ka mohuar raportimet për sulm ndaj Izraelit.
Pak më vonë, Irani e akuzoi Izraelin se ka kryer sulme pas armëpushimit. Zëdhënësi i shtabit qendror të ushtrisë iraniane, tha se Izraeli e ka goditur Iranin në tri faza, deri në orën 9 të mëngjesit të së martës, sipas kohës lokale.
(r.m.)