Uashington / New Orleans, 24 dhjetor 2025 – Administrata e Presidentit Donald Trump vendosi të dërgojë 350 trupa të Gardës Kombëtare në New Orleans përpara Vitit të Ri. Kjo është një tjetër vendosje e trupave federale në qytet, në kuadër të luftës kundër imigracionit të paligjshëm, të udhëhequr nga patrulla kufitare.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha të martën se anëtarët e gardës, siç kanë bërë në vendosjet e tjera në qytete të mëdha, do të ngarkohen me mbështetjen e partnerëve federalë të zbatimit të ligjit, përfshirë Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Parnell shtoi se trupat e gardës kombëtare do të vendosen deri në shkurt.
Guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, një republikan, i vlerësoi Donald Trump dhe sekretarin e mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, për koordinimin e vendosjes dhe parashikoi që prania e gardës të ketë ndikim pozitiv.
“Do të na ndihmojë të shtypim më tej dhunën këtu në qytetin e New Orleans dhe gjetkë rreth Luizianës”, tha Landry në një paraqitje në The Will Cain Show në Fox News.
“Dhe një përshëndetje e madhe për të dy”, shtoi ai.
Vendosja e gardës kombëtare në New Orleans, qytetin e udhëhequr nga demokratët, vjen në kohën që agjentët e patrullave kufitare po zhvillojnë një operacion të madh kundër imigracionit të filluar në fillim të muajit.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se gjatë dy javëve të para të operacionit që do të zgjasë një muaj janë arrestuar disa qindra njerëz dhe ka parashikuar arrestimin e më se 5 mijë personave.
Kritikët thonë se vendosja e gardës kombëtare në New Orleans është e pajustifikuar dhe mund të shkaktojë frikë në komunitet. Ata thanë se në New Orleans ka rënie të normave të krimit të dhunshëm.
Sipas të dhënave të departamentit të policisë së qytetit, gjatë këtij viti në New Orleans është regjistruar numri më i ulët i vrasjeve në disa dekada.
Në vitin 2025, deri më 1 nëntor, kanë ndodhur 97 vrasje, përfshirë 14 pjesëmarrës të festës së Vitit të Ri, të cilët u vranë Ditën e Vitit të Ri në një sulm me kamion në Rrugën Bourbon.
(r.m.)