Trump: “NATO po bën një gabim shumë të rëndë”

Uashington, 18 mars 2026 – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kritikuar ashpër Gjermaninë dhe vendet e tjera të NATO-s për mosofrimin e ndihmës në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Ai tha është i zhgënjyer nga aleatët, qëndrimin e të cilëve e cilësoi si “mjaft shokues”, transmeton DW.

“Mendoj se NATO po bën një gabim shumë të rëndë. Ky rast ishte një provë për aleancën”, tha Trump në një pritje për kryeministrin irlandez, Micheál Martin në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne si Shtete të Bashkuara do ta mbajmë mend këtë sepse e shohim si mjaft tronditëse”, theksoi ai.

“Ne e ndihmuam Ukrainën, por ata nuk po ndihmojnë me Iranin, edhe pse të gjithë e pranojnë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore”, shtoi ai.

Trump përsëriti sërish edhe mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga NATO:

“Kjo është, pa dyshim, diçka për të cilën duhet të mendojmë”, tha ai.

“Nuk kam nevojë që Kongresi të marrë atë vendim”, shtoi Trump.

Në vitin 2023, Kongresi Amerikan e miratoi një ligj që kërkon miratimin e Kongresit për çdo tërheqje të mundshme nga NATO.

Të dielën, Trump u kërkoi partnerëve të NATO-s të mbështesin SHBA-në për të siguruar Ngushticën e Hormuzit kundër sulmeve iraniane ndaj anijeve cisternë të naftës. Ai paralajmëroi se mungesa e ndihmës do të ishte “shumë e keqe” për të ardhmen e aleancës.

Megjithatë, Gjermania dhe vendet e tjera të NATO-s e hodhën poshtë unanimisht kërkesën e Trump. NATO është një aleancë mbrojtëse. Nëse një nga anëtarët e saj sulmohet, mund të përdoret Neni 5: shtetet e tjera janë të detyruara të ofrojnë ndihmë. Deri më tani, Neni 5 është përdorur vetëm një herë: më 12 shtator 2001, një ditë pas sulmeve terroriste ndaj SHBA-së. Neni 5 nuk zbatohet nëse një vend i NATO-s fillon një luftë, siç është rasti me luftën aktuale me Iranin.

(r.m.)