Uashington, 20 prill 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka hedhur poshtë akuzat se ai është nxitur nga kryeministri izraelit Netanjahu të nisë operacione ushtarake kundër regjimit të Iranit.
Në një postim në X, Trump ka shkruar se ngjarjet e 7 tetorit 2023 në Izrael ia kanë forcuar bindjen se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe të ndërmerrte veprime.
Trump i ka cilësuar si “të manipuluara” sondazhet që flasin për rënie të popullaritetit të tij duke i krahasuar ato me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 të cilat këmbëngul vazhdimisht se i ishin vjedhur.
Ky reagim vjen pas deklaratave se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, e ka nxitur ta sulmojë Iranin.
Postimi i presidentit Trump në X:
“Izraeli nuk më bindi kurrë ta mbështes luftën me Iranin; ngjarjet e 7 tetorit më bindën, gjë që e forcoi bindjen time që e kam pasur gjithmonë se IRANI NUK DUHET TË KETË KURRË NJË ARMË BËRTHAMORE. Po i shikoj dhe lexoj me mosbesim të plotë sondazhet e ‘ekspertëve’ dhe lajmet e rreme. 90% e asaj që thonë janë gënjeshtra dhe histori të sajuara, ndërsa sondazhet janë të manipuluara, njësoj si zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Njësoj si rezultatet në Venezuelë, për të cilat media nuk dëshiron të flasë. Rezultatet në Iran do të jenë mahnitëse. Nëse udhëheqësit e rinj të Iranit (Ndryshimi i Regjimit!) janë të zgjuar, Irani mund të ketë një të ardhme të ndritur plot prosperitet!”
(r.m.)