Trump:  Nuk do të përdor forcën për Grenlandën

Davos, 21 janar 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e mbajti një fjalim të gjatë para udhëheqësve botërorë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Trump u tha atyre se nuk e ka ndërmend ta përdorë forcën për Grenlandën, por gjithashtu dha një sërë arsyesh përse Shtetet e Bashkuara duhet ta zotërojnë këtë ishull gjysmautonom të Danimarkës.

Ai tha se po kërkon “bisedime të menjëhershme” për ta blerë Grenlandën nga Danimarka.

“Janë vetëm Shtetet e Bashkuara ato që mund ta mbrojnë këtë copë gjigante akulli”, tha ai.

Trump tha se nuk do ta përdorte forcën për kontrollin e Grenlandës.

“Nuk kam nevojë të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”, tha ai, duke e cilësuar si deklaratën e tij më të rëndësishme.

Ai i hodhi poshtë pretendimet se duke e përvetësuar Grenlandën do ta dëmtonte NATO-n.

“Ne japim aq shumë dhe marrim shumë pak në këmbim”, shtoi ai.

Trump theksoi se SHBA-ja do të jetë 100% përkrah NATO-s, por nuk është i sigurt nëse aleatët do t’ia kthejnë favorin.

Në fillim të fjalimit të tij, Trump e kritikoi Evropën se “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, për shkak të “rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve qeveritare, migrimit masiv të pakontrolluar dhe importeve të pafundme të huaja”.

Duke thënë se Evropa po pranon “popullsi krejtësisht të ndryshme nga toka të largëta”, Trump shtoi:

“Disa vende në Evropë, sinqerisht, nuk mund t’i njohësh më”, tha ai.

Ndërkaq, duke folur lidhur me Ukrainën, Trump tha se të dy palët duan marrëveshje dhe se ajo nuk është e largët.

“Po merrem me presidentin Putin dhe besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Po merrem me presidentin Zelensky dhe mendoj se edhe ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”.

“Besoj se jemi në një pikë ku ata mund të bashkohen dhe ta bëjnë marrëveshjen. Dhe, nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”, shtoi ai.

Ai tregoi se do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Davos.

Trump foli gjithashtu edhe për ekonominë amerikane, duke thënë se ajo po “lulëzon”.

SHBA-ja po përjeton një “mrekulli ekonomike” nën presidencën e tij, pretendoi Trump, duke thënë se inflacioni ka rënë, me rritje ekonomike që “ndoshta asnjë vend nuk e ka përjetuar ndonjëherë më parë”.

Trump: S’do të ketë tarifa, kemi pajtueshmëri rreth kornizës së marrëveshjes për Grenlandën

Disa orë pas fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se nuk do të vendosen tarifa në shkurt ndaj disa vendeve evropiane lidhur me qëndrimin e tyre për Grenlandën.

Ai tha është arritur pajtueshmëri për kornizën e një marrëveshjeje për të ardhmen e ishullit gjysmautonom të Danimarkës, pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

“Kemi ndërtuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Grenlandën dhe, në fakt, me të gjithë rajonin e Arktikut. Kjo zgjidhje, nëse finalizohet, do të jetë shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s”, shkroi Trump në Truth Social.

Ai shtoi se, “bazuar në këtë mirëkuptim, nuk do të vendos tarifat që ishte planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt. Po zhvillohen gjithashtu diskutime shtesë lidhur me ‘Kupolën e Art’ në Grenlandë. Informacione të tjera do të bëhen të ditura me përparimin e bisedimeve”.

Trump tregoi se nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff do të jenë përgjegjës për bisedimet.

Trump nuk dha hollësi se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, por theksoi për CNBC se “marrëveshja për Grenlandën do të zgjasë përgjithmonë”.

(Sipas Radio Evropa e Lirë)