Trump pas bisedës me Putinin: Bisedimet Ukrainë-Rusi për armëpushim do të nisin menjëherë

Uashington, 19 maj 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën se Rusia dhe Ukraina do t’i fillojnë “menjëherë” bisedimet për armëpushim.

“Kushtet për këtë do të negociohen midis dy palëve, ashtu siç duhet të jetë, sepse ata i dinë hollësitë e një negociate që askush tjetër nuk do t’i dinte”, ka shkruar Trump në një postim në rrjetet sociale.

Trump e ka bërë këtë deklaratë pas bisedës telefonike mbi dy orëshe me presidentin rus, Vlladimir Putin, të cilën e ka cilësuar si “të shkëlqyer”.

Më herët, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se objektiv i presidentit Trump është “ta shohë përfundimin e luftës”, dhe se presidenti “është i zemëruar dhe i lodhur nga të dyja palët”.

Ndërkaq, Putini, pas bisedës me Trumpin, të cilën e ka cilësuar si “të hapur dhe përmbajtjesore”, ka thënë se Rusia është e gatshme t’i vazhdojë bisedimet për përfundimin e luftës.

“Presidenti amerikan e ka shprehur pikëpamjen e tij për ndërprerjen e armiqësisë, për armëpushimin, kurse unë, nga ana ime, kam theksuar se Rusia angazhohet për zgjidhje paqësore të krizës së Ukrainës. Thjesht, duhet të gjejmë mënyrat më efikase për arritjen e paqes, Ne vetëm duhet të gjejmë rrugët më efektive për të ecur drejt paqes”, citohet Putin nga agjencia shtetërore ruse, TASS.

Donald Trump ka folur të hënën edhe me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky si edhe me liderë evropianë, në përpjekje për të bërë përparim drejt një armëpushimi në luftën në Ukrainë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka cilësuar përfundimin e luftës në Ukrainë si njërin ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme që me marrjen e mandatit të dytë presidencial.

Steve Witkoff, emisar i Shtëpisë së Bardhë për luftën në Ukrainë, i cili është takuar tashmë tri herë me Putinin, kishte shprehur bindjen se Donald Trump do ta arrijë objektivin e tij për ndërprerjen e luftës.

“Presidenti është i vendosur të bëjë diçka këtu… Nëse ai s’mund të bëjë gjë, s’do të mundet askush”, kishte deklaruar Witkoff në një intervistë për ABC Neës, në fundjavë.

(r.m.)