Uashington, 21 nëntor 2025 – Kryetari i zgjedhur i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka shkuar në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin amerikan Donald Trump.
Trump e ka uruar Mamdanin për fitoren e tij në zgjedhje, në garë me kandidatë shumë të zgjuar.
“Ai [Mamdani] zhvilloi një garë vërtet të jashtëzakonshme kundër shumë njerëzve të zgjuar. Ai i mundi ata dhe i mundi me lehtësi”, tha Trump.
Ai shtoi se me Mamdanin diskutuan për tema të ndryshme, si strehimi dhe ushqimi, si edhe çmimi i naftës.
“Dua vetëm ta përgëzoj atë. Mendoj dhe shpresoj se do të bëhet një kryetar vërtet i shkëlqyer”, shtoi Trump.
“Sa më mirë të veprojë ai, aq më i lumtur do të jem unë”, thai ai.
“Ne do ta ndihmojmë atë që ëndrra e të gjithëve të bëhet realitet”, theksoi Trump.
Edhe Mamdani e cilësoi “produktiv” takimin me Trumpin.
“Ne jemi shumë të qartë në lidhje me qëndrimet dhe pikëpamjet tona, dhe ajo që vlerësoj vërtet te presidenti është se takimi që patëm u përqendrua… në qëllimin e përbashkët që kemi në shërbim të njujorkezëve”, tha ai.
“Sinqerisht, kjo është diçka që mund të transformojë jetën e 8.5 milionë njerëzve që aktualisht po përballen me një krizë të kostos së jetesës, me një në katër që jetojnë në varfëri”, tha ai.
Trump është pyetur edhe në lidhje me kërcënimin e tij të mëhershëm për të dërguar trupa në rrugët e New Yorkut.
“Mendoj se kemi njohur vrasës dhe tregtarë droge të njohur dhe disa njerëz shumë të këqij”, tha presidenti i SHBA-së.
“Në fakt, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, Mamdani dëshiron të ketë një New York të sigurt… Mund të flasim për çfarë të doni, por nëse nuk keni rrugë të sigurta nuk do të keni sukses. Kështu që do të punojmë së bashku”, tha ai.
Trumpi u pyet gjithashtu nëse do të ndihej rehat që të jetonte në New York nën udhëheqjen e Mamdanit.
“Do të ndihesha shumë, shumë rehat po të isha në New York”, tha ai.