Trump shpallet fajtor për falsifikimin e të dhënave të kompanisë

Nju Jork, 30 maj 2024 – Donald Trump është shpallur fajtor për falsifikimin e të dhënave biznesore të kompanisë, duke u bërë ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Pas diskutimeve dyditore, 12 anëtarët e jurisë e shpallën fajtor Trumpin për të 34 akuzat me të cilat ngarkohej.

Për të arritur një aktgjykim, nevojitej njëzëshmëri e anëtarëve të jurisë.

Juria në Nju Jork e shpalli Trumpin fajtor të enjten mbrëma për falsifikimin e të dhënave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

Falsifikimi i të dhënave biznesore dënohet deri më katër vjet burgim, por prokurorët nuk kanë thënë nëse ata synojnë të kërkojnë burgim për të, dhe nuk është e qartë nëse gjykatësi do të marrë vendim për dënimin e tij me burgim edhe nëse i kërkohet.

Ky dënim, e madje as burgimi i mundshëm, nuk do t’ia ndalojnë Trumpit vazhdimin e garës për president të Shteteve të Bashkuara.

Diskutimet fillestare të jurisë nisën më 29 maj në gjyqin e parë penal ndaj ish-presidentit amerikan. Paneli prej shtatë burrash dhe pesë grash kanë pasur për detyrë që të vendosin nëse Trumpi është fajtor për ndonjërën nga 34 akuzat për falsifikim të të dhënave të kompanisë së tij.

Prokurorët thanë se Trumpi ka falsifikuar të dhëna për të fshehur rimbursimet që ia ka bërë avokatit të atëhershëm të tij, Michael Cohen, i cili i ka paguar aktores së pornografisë, Stormy Daniels 130.000 dollarë në javët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2016, në këmbim që ajo të mos e paraqiste publikisht pretendimin e saj se ajo dhe Trump kishin pasur marrëdhënie seksuale një dekadë më parë.

Ish-presidenti dhe i nominuari republikan për president, është deklaruar i pafajshëm duke mohuar çdo kontakt seksual me Daniels dhe duke argumentuar se pagesat e kryera ndaj avokatit Cohen ishin përcaktuar saktë në të dhënat e kompanisë, përkatësisht si shpenzime ligjore.

(Radio Evropa e Lirë)