Trump tha se Putin e ka zhgënjyer dhe se nuk beson se ai do t’i japë fund luftës

Uashington, 4 korrik 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se Presidenti rus Vladimir Putin e ka zhgënjyer, raporton Skynews.

Trump ka thënë se biseda telefonike që e zhvilloi të enjtjen me Putininin nuk kishte rezultuar me asnjë përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Jam shumë i zhgënjyer nga biseda që pata sot me presidentin Putin, sepse nuk mendoj se ai është aty ku duhet të jetë, dhe kjo më zhgënjen shumë”, ka thënë Trump, para se të nisej për një ngjarje në Iowa.

Trump ka theksuar se nuk beson se Putin do ta ndalë luftën në Ukrainë

“Thjesht po them se nuk mendoj që ai ka ndërmend të ndalet, dhe kjo është për të ardhur keq”, ka thënë ai.

Ndërkaq Kremlini e ka cilësuar bisedën “të sinqertë dhe konstruktive”. Këshilltari i Putinit për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov, ka thënë se dy liderët ishin “në të njëjtën gjatësi vale”.

Sipas Ushakov, Putin i ka thënë Trumpit se “Rusia do të vazhdojë të ndjekë qëllimet e saj” në Ukrainë dhe se “nuk do të tërhiqet” nga objektivat e saj atje.

“Rusia nuk do të tërhiqet nga këto qëllime”, u ka thënë Ushakov gazetarëve, pas telefonatës.

Ai ka thënë se Trump ka theksuar dëshirën e tij për një ndalim të shpejtë të luftimeve, ndërsa Putin ka shprehur gatishmërinë e Moskës për të zhvilluar bisedime me Kievin, duke përmendur se bisedimet në Turqi kishin dhënë rezultate.

Ukraina njoftoi se gjatë natës së kaluar është përballur me sulmin më të rëndë ajror që prej fillimit të agresionit rus.

Presidenti Trump ka thënë se të premten do të flasë edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

(r.m.)

Comment

*