Trump thotë se lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, është vrarë

Uashington, 28 shkurt 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, është vrarë gjatë sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në Teheran.

Në një deklaratë në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Khamemei “nuk arriti t’u shmangej sistemeve tona të inteligjencës dhe gjurmimit shumë të sofistikuar”. Ai shfaqi shpresën se pjesëtarët e forcave iraniane të sigurisë të bashkohen me qytetarët iranianë që dëshirojnë përmbysjen e pushtetit të ajatollahëve.

Donald Trump përsërit se sulmet ndaj Iranit do të vazhdojnë derisa të jetë e nevojshme për të arritur synimin – paqe në gjithë Lindjen e Mesme dhe në botë.

Më herët, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka thënë se Ajatollahu Ali Khamenei është vrarë të shtunën gjatë suleve të mëngjesit në Iran. Ai u referohej dy burimeve izraelite të informuara për situatën dhe zhvillimet e fundit në Iran.

Deklarata e Trumpit, sipas publikimit të Radios Evropa e Lirë:

“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur. Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por edhe për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe për ata njerëz nga shumë vende të botës që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e KRIMINELËVE të etur për gjak. Ai nuk arriti t’u shmangej sistemeve tona të inteligjencës dhe gjurmimit shumë të sofistikuar dhe, duke punuar ngushtë me Izraelin, nuk kishte asgjë që mund të bënin ai apo udhëheqësit e tjerë që u vranë bashkë me të.

Kjo është mundësia e vetme më e madhe për popullin iranian që ta rimarrë në dorë vendin e vet. Po dëgjojmë se shumë prej anëtarëve të IRGC-së, ushtrisë dhe forcave të tjera të sigurisë dhe policisë, nuk duan më të luftojnë dhe po kërkojnë imunitet nga ne. Siç thashë mbrëmë, ‘tani mund të kenë imunitet, më vonë marrin vetëm vdekjen!’. Shpresojmë që IRGC-ja dhe policia të bashkohen në mënyrë paqësore me patriotët iranianë dhe të punojnë së bashku si një njësi për ta rikthyer vendin në madhështinë që meriton. Ky proces duhet të fillojë së shpejti, sepse jo vetëm vdekja e Khameneit, por edhe vendi është, brenda vetëm një dite, shkatërruar shumë dhe madje, zhdukur. Megjithatë, bombardimet e rënda dhe të sakta do të vazhdojnë, pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur synimin tonë të PAQES NË TË GJITHË LINDJEN E MESME DHE, NË TË VËRTETË, NË BOTË!

(r.m.)

Comment

*