Trump thotë se operacioni ushtarak kundër Iranit do të përfundojë “shumë, shumë shpejt”

Uashington, 10 mars 2026 – Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se operacioni ushtarak i nisur kundër Iranit muajin e kaluar do të përfundojë “shumë shpejt”.

“Po fitojmë bindshëm. Jemi shumë më përpara sesa kemi planifikuar”, ka thënë Trump në një konferncë për media në Florida.

“Do të përfundojë shpejt”, ka theksuar ai.

I pyetur nëse lufta do të përfundojë këtë javë, ai ka thënë se këtë nuk mund ta thotë me siguri, por shprehu bindjen se kjo do të ndodhë “shumë, shumë shpejt”.

Por, ai është zotuar se SHBA do ta godasë Iranin “shumë, shumë më ashpër” nëse i bllokon furnizimet me naftë në Lindje të Mesme.

“Nuk do të lejoj që një regjim terrorist të mbajë botën peng dhe të tentojë t’i ndalë furnizimet globale me naftë. Nëse Irani bën diçka në këtë drejtim, ata do të goditen shumë, shumë më ashpër”, ka thënë Trump.

Presidenti amerikan i ka bërë këto deklarata më 9 mars, pasi Teherani ka nisur një mori raketash dhe dronësh drejt Izraelit dhe shteteve të Gjirit Arab, disa orë pas emërimit të Mojtaba Khameneit lider suprem i Iranit.

Më herët, Trump ka thënë se nuk është “i lumtur” me vendimin e Iranit që në krye të shtetit të ngjitet Mojtaba Khamenei. Ai ka thënë se me këtë vendim Irani ka bërë “gabim të madh”.

Trump, në një intervistë për rrjetin CBS, ka thënë se e ka në mendje një zëvendësim për Mojtaba Khamenein, mirëpo nuk ka përmendur ndonjë emër.

(r.m.)