Doha, 15 maj 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përsëritur të enjten dëshirën e tij për ta marrë nën kontroll Rripin e Gazës, duke thënë në një tryezë në Katar se SHBA-ja do ta “bënte atë një zonë të lirisë”.
“Kam koncepte për Gazën që mendoj se janë shumë të mira: ta bëjmë një zonë të lirisë, duhet t’i lejoni Shtetet e Bashkuara të përfshihen”, tha Trump në një takim me një grup zyrtarësh dhe biznesmenësh në Katar.
Trump ka thënë se kishte parë pamje nga ajri se në Gazë nuk ka pothuajse asnjë ndërtesë në këmbë. Ai ka shtuar se atje nuk ka mbetur më asgjë për të shpëtuar.
“Nuk mund të tentosh të shpëtosh diçka. Nuk ka ndërtesa. Njerëzit po jetojnë nën rrënojat e ndërtesave të shembura, gjë që është e papranueshme”, ka thënë ai.
“Dua që ajo (Gaza) të bëhet një zonë lirie. Dhe, nëse është e nevojshme, mendoj se do të isha krenar që Shtetet e Bashkuara ta kenë atë, ta marrin atë, dhe ta bëjnë zonë lirie”, ka shtuar Trump.
Trump e ka përmendur për herë të parë idenë e tij për Gazën në muajin shkurt, kur kas thënë se palestinezët duhet të zhvendoseshin në vdenet fqinje dhe SHBA-ja do ta rindërtonte atë. Ai kishte deklaruar se dëshiron që Gazën ta shndërrojë në “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
Palestinezët e krahasojnë idenë e Trumpit me “Nakba”-n e vitit 1948, kur qindra mijëra palestinezë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës që çoi në krijimin e Izraelit. Ata thonë se më parë do të parapëlqenin të jetonin në rrënojat e shtëpive të tyre në Gazë se sa të zhvendoseshin.
Plani i tij është dënuar gjerësisht nga vendet arabe, nga disa vende të Evropës dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke e cilësuar si spastrim etnik.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka cilësuar idenë e Trumpit si “vizion të guximshëm” dhe ka thënë se ai dhe presidenti amerikan kanë diskutuar se cilat vende mund të jenë të gatshme të pranojnë palestinezë që largohen nga Gaza.
Shumica e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh është e zhvendosur brenda vendit, si pasojë e luftës së Izraelit, e cila i ka vrarë gati 53.000 palestinezë dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës.
(r.m.)