Trumpi dhe Putini biseduan me telefon për Iranin dhe Ukrainën

Pragë, 3 korrik 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, biseduan për Iranin, Ukrainën dhe çështje të tjera, të enjten, në një telefonatë “të hapur dhe konstruktive”, tha Kremlini.

Kjo ishte biseda e gjashtë telefonike mes tyre prej se Trumpi u kthye në Shtëpinë e Bardhë këtë vit.

Duke biseduar në lidhje me Iranin dhe gjendjen në Lindjen e Mesme, Putini e theksoi nevojën për t’i zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet “ekskluzivisht përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, tha Yuri Ushakov, këshilltari i presidentit rus për çështjet e jashtme.

Ai shtoi se liderët u pajtuan që zyrtarët rusë dhe amerikanë të mbajnë kontakte për këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara bombarduan centralet bërthamore në Iran më 22 qershor, duke u përfshirë në luftën e Izraelit që synonte ta shkatërronte programin bërthamor të Teheranit.

Sa i përket konfliktit në Ukrainë, Ushakov tha se Trump theksoi dëshirën e tij për një ndalim të shpejtë të luftimeve, ndërsa Putin shprehu gatishmërinë e Moskës për të zhvilluar bisedime me Kievin, duke përmendur se rundet e mëparshme në Turqi kishin dhënë rezultate humanitare.

Në të njëjtën kohë, lideri rus theksoi se Moska do të vazhdojë t’i ndjekë qëllimet e veta në Ukrainë dhe t’i eliminojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, tha Ushakov.

“Rusia nuk do të tërhiqet nga këto qëllime”, u tha Ushakov gazetarëve pas telefonatës.

Putini ka argumentuar se i dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 për ta luftuar një kërcënim ndaj Rusisë, i cili vinte nga përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe për t’i mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainë.

Këto pretendime të presidentit rus janë hedhur poshtë nga Kievi dhe aleatët e tij.

Ai këmbënguli se çdo marrëveshje e mundshme për paqe duhet të përfshijë heqjen dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe njohjen e fitimeve territoriale të Rusisë.

Telefonata e së enjtes vjen pasi Pentagoni konfirmoi pezullimin e dërgesave të disa armëve për Ukrainën, ndërkohë që po bën një rishikim global të rezervave ushtarake amerikane.

Armët që janë pezulluar për Ukrainën përfshijnë raketa të mbrojtjes ajrore, artileri precize dhe pajisje të tjera.

Ushakov tha se pezullimi i disa dërgesave të armëve amerikane për Ukrainën nuk u diskutua në telefonatën mes Trump dhe Putin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në Danimarkë pas një takimi me përkrahësit kryesorë të Bashkimit Evropian se mund të flasë me Trumpin në ditët në vijim për pezullimin e ndihmës ushtarake amerikane.

“Shpresoj që ndoshta nesër, ose në ditët në vijim, do të flas për këtë me presidentin Trump”, tha ai.

I pyetur për pritshmëritë e tij nga telefonata Trump-Putin, ai tha: “Nuk jam i sigurt se ata kanë shumë ide apo tema të përbashkëta për të diskutuar, sepse janë njerëz shumë të ndryshëm”.

Të martën, Putini dhe presidenti francez Emmanuel Macron zhvilluan bisedën e tyre të parë direkte telefonike pas gati tre vjetësh.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*