Tucker Carlson largohet nga Fox News

Tucker Carlson, një nga personalitetet kryesore televizive të rrjetit Fox News do të largohet nga ky televizion, më pak se një javë pasi rrjeti arriti një marrëveshje me kompaninë Dominion të sistemeve të votimit, për të zgjidhur padinë për shpifje duke paguar një dëmshpërblim prej 787.5 milionë dollarësh.

Fox News tha se programi i fundit i prezantuesit të njohur të rrjetit konservator ishte ai i së premtes më 21 prill.

Largimi i drejtuesit të programit të lajmeve të mbrëmjes me audiencën më të madhe prej mbi 2 milionë shikuesish çdo natë, ishte një veprim i befasishëm dhe një lëvizje që ndryshon rrënjësisht relievin e lajmeve në televizionet kabllore.

Sipas disa njoftimeve të medias që citojnë persona me njohuri për këtë çështje, zoti Carlson nuk ishte njoftuar paraprakisht se do të largohej dhe se ishte njohur me vendimin e rrjetit të hënën në mëngjes.

Zoti Carlson ishte parashikuar të dëshmonte në gjyqin Dominion, para se çështja të zgjidhej jashtë sallës së gjyqit.

Dominion kishte pretenduar se deklaratat e bëra në emisionin e zotit Carlson pas zgjedhjeve të 2020 përbënin shpifje dhe se mesazhet mes drejtuesit të emisionit dhe ekipit të tij, provonin se ai dhe ekipi i tij e dinin se pretendimet e bëra gjatë emisionit se makinat e numërimit të votave të kompanisë Dominion ishin përdorur për të manipuluar zgjedhjet në favor të demokratit Joe Biden, ishin të rreme.

Padia e kompanisë Dominion e vuri në një situate të vështirë rrjetin Fox News, duke treguar trysninë politike ndaj programeve të tij dhe se si figurat televizive të rrjetit shpreheshin privatisht me përçmim ndaj ish-Presidentin Donald Trump.

Ndërkohë një producente e Fox News-it ka ngritur padi ndaj televizionit duke pretenduar se rrjeti e ka vënë atë nën trysni, duke i kërkuar të mos thotë të vërtetën lidhur me një padi për shpifje, që është ngritur ndaj këtij rrjeti. Kompania Dominion, prodhuese e aparaturave për votim elektronik, ka paditur Fox New-in për shpifje, duke akuzuar rrjetit mediatik se u ka dhënë zë pretendimeve të rreme, për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në padinë e ngritur Abby Grossber, e cila është detyruar, sikurse thotë ajo, të marrë leje nga puna, pretendon gjithashtu se rrjeti e ka diskriminuar për shkak të gjinisë dhe besimit hebre.

Në padinë e saj zonja Grossberg pretendon se në fillim të këtij viti, Fox-i bëri një vlerësim të ulët për punën e saj, kjo pasi ajo ishte ankuar për diskrimin të përsëritur gjinor, veçanërisht në programin e zotit Carlson, me të cilin ajo po punonte së fundmi.

(Zëri i Amerikës)