Programi Pilot i Garancisë Financiare Për Ata që Aplikojnë për Viza B1/B2

Nga Avokati Kieran Both
Departamenti Amerikan i Shtetit (DOS) ka nxjerrë një Rregullore të Përkohshme që ka të bëjë me fillimin e një programi pilot 12-mujor për garancinë financiare të vizave. Ky program do të zbatohet tek ata aplikantë për viza B1/B2 të cilët vijnë nga vende me përqindje të të lartë qëndrimesh në mënyrë të paligjshme në SHBA, përtej afatit të vizës. Programi ende nuk ka marrë formë përfundimtare, që do të thotë se shumë pyetje lidhur me të nuk kanë ende një përgjigje. Duke filluar nga data 20 gusht 2025, shtetasit e Malawi-t dhe Zambia-s do t’i nënshtrohen kërkesës për të ofruar garanci financiare për vizë. Kësaj liste mund t’i shtohen dhe vende të tjera, por pasi të jenë njoftuar 15 ditë përpara se masa të hyjë në fuqi. Nuk është e qartë nëse Shqipëria do të përfshihet në këtë listë.
Sipas këtij programi pilot, aplikantët për vizë duhet të paguajnë një shumë e cila do të shërbejë si garanci që personat që kanë marrë vizën do të mbajnë statusin që u jep viza dhe do të largohen prej SHBA-së sapo këtij statusi t’i dalë afati. Shuma që duhet paguar si garanci mund të jetë 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarë, në varësi se si do ta gjykojë të arsyeshme zyrtari konsullor, përpara se të të japë vizën. Detajet që kanë të bëjnë me këtë program përfshirë dhe mënyra se si do të administrohet programi si dhe lista e plotë e vendeve që do të përfshihen në këtë program, nuk janë bërë ende të ditura.
Zyrtarët konsullorë kanë diskrecion të plotë për të kërkuar pagesën e garancisë. Garancia duhet të paguhet përmes platformës Pay.Gov dhe do të mbahet nga Departamenti i Thesarit, në një llogari të ngjashme me atë të një kolaterali, nën drejtimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS). Programi pilot fillon 15 ditë pasi të jetë bërë publik dhe do të zgjasë deri më 5 gusht 2026. Personave që do t’u kërkohet garancia, do t’u jepet një vizë me një mundësi të vetme hyrje (single-entry), dhe me afat vlefshmërie 3-mujor. Në pikën hyrëse në SHBA, Dogana dhe Patrulla Kufitare (CBP) do t’u lejojë personave që kanë këtë vizë një qëndrim prej jo më shumë se 30 ditësh.
Informacioni i deritanishëm
Shumat e garancisë janë 5,000, 10,000 dhe 15,000 dollarë. Shuma prej 10,000 dollarësh është konsideruar si “standarde”. Shuma prej 5,000 dollarësh do të aplikohet për ata persona që nuk janë në gjendje të paguajnë shumën e plotë prej 10,000 dollarësh, ndërsa shuma prej 15,000 dollarësh do t’u kërkohet aplikuesve për të cilët, për shkak të “natyrës dhe numrit të kontakteve që kanë në SHBA”, shuma prej 10,000 dollaresh nuk përbën pengesë për të shkelur afatin e qëndrimit.
Personat të cilëve do t’u kërkohet të paguajnë garancinë, përveç kufizimeve si viza me një hyrje të vetme dhe vlefshmëri 3 muaj, periudha e qëndrimit jo më shumë se 30 ditë, do t’u kërkohet si kusht që të hyjnë dhe të dalin nga SHBA-ja vetëm përmes disa pikave hyrëse të caktuara: Aeroporti Ndërkombëtar Logan i Bostonit, Aeroporti Ndërkombëtar John F. Kennedy i New York-ut, ose Aeroporti Ndërkombëtar Dulles i Washington-it.
Kushtet specifike të secilës garanci vize do të shënohen në Formularin I-352 të ICE-it. Shuma e dhënë si garanci për vizë do t’i rikthehet aplikantit atëherë kur mbajtësi i vizës të ketë përmbushur plotësisht të gjitha kushtet dhe rregullat e garancisë për vizë, siç përcaktohen në Formularin I-352, bazuar në informacionin që DHS ofron përmes Sistemit të Informacionit mbi Mbërritjet dhe Nisjet (ADIS).
Garancia do të anulohet – pra do t’i rikthehet aplikantit – nëse: aplikanti nuk ka punuar pa leje DHE nëse largohet para skadimit të formularit I-94; aplikanti paraqet në kohë një kërkesë për shtyrje/ndryshim statusi, dhe i përmbahet statusit të ri si DHE largohet para skadimit të formularit I-94; aplikanti nuk e kryen udhëtimin në SHBA; viza e aplikantit refuzohet në mënyrë definitive pas depozitimit të garancisë; ose aplikantit i refuzohet hyrja nga CBP (Dogana dhe Patrulla Kufitare).
Aplikantët gjithashtu mund të kërkojnë anulimin manual të garancisë përmes një takimi me një Oficer Konsullor brenda 30 ditëve pas largimit nga SHBA-ja ose para udhëtimit drejt SHBA-së. Oficeri mund të anulojë garancinë nëse regjistri ADIS nuk tregon që aplikanti është nisur dhe kur aplikanti ka vërtetuar identitetin e tij/të saj, ka provuar që është larguar brenda afatit dhe ka përmbushur kushtet e vizës së tij/saj. Garancia nuk do t’i kthehet aplikantit (dmth. do të transferohet nga llogaria e Thesarit në një tjetër llogari financiare qeveritare) nëse aplikanti: shkel statusin e tij/saj; bën një ndryshim/shtyrje të statusit pa arsye ose jo brenda afatit të duhur; qëndron në SHBA pasi i ka skaduar I-94; ose arrin të paraqesë në kohë një kërkesë për ndryshim/shtyrje të statusit, e cila më pas i refuzohet dhe ai ose jo nuk largohet brenda 10 ditëve pas refuzimit.
Është pothuajse e sigurt që ky program do të rrisë ngarkesën e punës për stafin konsullor në vendet që preken nga ky program, dhe do të zgjasë kohët e pritjes për të marrë vizë. Ulja e vlefshmërisë së vizës dhe njëkohësisht shtimi i hapave në procesimin dhe administrimin e kërkesave për vizë, padyshim do të mbushë edhe më shumë kalendarët e mbingarkuar të intervistave për viza. Nuk është njoftuar se do të ketë shtesë të personelit në Departamentin e Shtetit për të përballuar këtë rritje të ngarkesës së punës. Sistemi i regjistrit ADIS dihet që përmban shumë gabime, sidomos gabime që lidhen me largimet nga SHBA-ja, gjë që e bën rrezikun e humbjes së garancisë një shqetësim real për aplikantët për vizë.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com