Turqia thotë se inflacioni ra në 33,5 për qind, por ekonomistët nuk besojnë

Ankara, 5 gusht 2025 – Në Turqi vazhdon shvlerësimi i monedhës kombëtare, Lirës, por me ritëm më të ulët se deri më tash. Sipas të dhënave zyrtare, norma e inflacionit në muajin korrik ishte 33,5 për qind, por ekonomistë të pavarur nuk u besojnë të dhënave zyratre.

Sipas të dhënave zyrtare, rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve është ngadalësuar. Enti i Statistikave tha se në muajin korrik konsumatorëve u është dashur të paguajnë 33,52 për qind më shumë se një vit më parë për mallra dhe shërbime. Kjo është norma më e ulët e rritjes së çmimeve në Turqi, që nga nëntori i vitit 2021. Sipas entit, në qershor norma e rritjes së çmimeve ishte 35,05 për qind, por nga qershori në korrik çmimet ranë me 2,06 për qind.

Por, ekonomistët kanë dyshime në të dhënat zyrtare. Grupi studimor Enag llogarit që norma e inflacionit në muajin korrik ka qenë 65,1 për qind, kurse Banka Qendrore e Turqisë ka parashikuar një përshpejtim të përkohshëm mujor të inflacionit, për shkak të rritjes së taksave për karburantet dhe duhanin, si edhe të çmimeve të larta të energjisë.

Më 24 korrik, Banka e Rezervave e uli nga 46 në 43 për qind interesin e refrencës, duke iniciuar kështu një valë të re të liberalizmit të politikës së saj monetare. Vitin e kaluar, në luftën kundër inflacionit, kjo bankë kishte reaguar me rritjen e interesave.

Deri tani, Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan e refuzonte një politikë strikte monetare, pavarësisht zhvlerësimit të vrullshëm të monedhës turke, duke vepruar kështu kundër praktikave të zakonshme.

Analistët e bankës së madhe në SHBA, Morgan Stanley, mendojnë se Banka Qendrore turke sivjet do t’i ulë edhe tri herë të tjera intersat e refrencës. Në fund të vitit interesi i refrencës duhet të jetë rreth 36 për qind. Por, Banka turke e Rezervave parashikon që norma e inflacionit të bjerë në 24 për qind deri në fund të vitit.

Norma zyrtare e inflacionit në Turqi është dyshifrore që prej pesë vjetësh. Norma më e lartë ishte regjistruar në fund të vitit 2022, kur kishte shkuar në 85 për qind.

(r.m.)