Beograd, 18 gusht 2021 – Mediat në Serbi, në llogaritë e të cilave Twitter u ka vendosur etiketën se bashkëpunojnë me qeverinë, janë duke reaguar në mënyra të ndryshme ndaj këtij shenjëzimi, ndërkaq që disa prej tyre kanë paralajmëruar ankesa dhe ndaj kësaj kompanie.
Kompania Twitter, më 17 gusht, i ka shenjëzuar mediat e caktuara që bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë. Etiketa qëndron në llogaritë zyrtare të atyre mediave.
Gazeta ditore “Politika”: Do të kontaktojmë Twitterin
Në mesin e këtyre mediave është edhe gazeta ditore “Politika”. Ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit përgjegjës të kësaj gazete, Marko Albunoviq, në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se lidhur me këtë çështje do ta kontaktojë kompaninë Twitter.
“Twitter është kompani private dhe mund të etiketojë dhe madje të mbyllë llogaritë e përdoruesve sipas gjykimit të saj. Gjithashtu e përditshmja Politika mund të mbyllë llogarinë e saj në Twitter në çdo kohë. Tash për tash ne nuk do ta bëjmë këtë, por do të përpiqemi që të kontaktojmë me njerëzit në Twitter dhe të kuptojmë se cili është shkaku për një vendim të tillë”, theksoi Albunoviq.
Ai shtoi se “’Politika’ nuk turpërohet për bashkëpunimin me Qeverinë e Serbisë”.
“Fundja, ‘Politika’ këtë e bën tash e 117 vjet dhe do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen, ashtu siç bashkëpunon me të gjitha institucionet shoqërore, me sektorin joqeveritar, me partitë opozitare, me përfaqësuesit e korit diplomatik, bashkësitë fetare”, sqaron Albunoviq.
Etiketën në Twitter ai e sheh si një presion mbi Qeverinë e Serbisë dhe jo mbi mediat.
“Këtë etiketim e shohim si një formë të presionit mbi Qeverinë e Serbisë sepse Twitter, në këtë rast, po zbaton standarde të dyfishta dhe etiketën e njëjtë nuk ua kanë vendosur madje as shërbimeve publike të disa shteteve në rajon dhe të mos flasim për shembujt e ndryshëm në botë”, theksoi Albunoviq, duke shtuar se “Politika” ka politikë redaktuese të pavarur e objektive dhe se “nuk do të durojë presionet as nga qeveria, as nga opozita dhe as nga grupet e interesit”.
Në përgjigjen e dhënë Radios Evropa e Lirë, Albunoviq ka theksuar që mediat në Serbi janë “të ndara ashpërsisht” në ato të qeverisë dhe ato të opozitës.
“’Politika’ e ka zgjedhur rrugën e mesme. Në qoftë se kjo nuk i pëlqen dikujt, në rregull, por vlerësimin përfundimtar për kualitetin e një mediumi nuk e japin rrjetet sociale, por tirazhi, reputacioni dhe besueshmëria e informacionit që publikon”, ka theksuafr Albunoviq.
Çfarë ka bërë saktësisht Twitter?
Siç thuhet në shpjegimin e kompanisë Twitter, në pjesën që lidhet me rregullat e përdorimit të këtij rrjeti social, shënjimi i llogarive që janë të lidhura me shtetin “mundëson kontekstin shtesë në lidhje llogaritë e kontrolluara nga zyrtarë të caktuar të qeverive, shtëpive mediatike të lidhura me shtetin dhe individët që bashkëpunojnë ngushtë me ato entitete”.
Mediat e lidhura me shtetin janë të definuara si “media, në të cilat shteti ushtron kontrollin mbi përmbajtjen redaktuese përmes mjeteve financiare, presioneve të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta politike dhe/ose kontrollin mbi prodhimin dhe shpërndarjen (e përmbajtjes)”.
Etiketimi i mediave të lidhura me shtetin, në praktikë, ka për pasojë që Twitter, siç thuhet, nuk do t’ua rekomandojë llogaritë e tyre njerëzve dhe as nuk do të “rrisë” shtrirjen e postimeve të tyre.
Në gushtin e vitit të kaluar, Twitter ka paralajmëruar se do të fillojë t’u vë etiketa llogarive që janë të lidhura me qeveritë.
“Telegrafi Serb”: Formulimi i Twitter është i paqartë
Nga redaksia e gazetës së përditshme Telegrafi Serb, në një përgjigje me shkrim të nënshkruar nga redaktori Milan Lagjeviq, thuhet që “nuk është i qartë formulimi” i Twitterit.
“Së pari, nuk e kam të qartë formulimin ‘bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë’ sepse ka mjaft media ‘të pa shenjëzuara’ që bashkëpunojnë”, tha Lagjeviq.
Etiketën ai e konsideron se një lloj i “mediave me shenjë”.
“E rëndësishme është që publikisht t’i bësh me shenjë mediat që nuk i financojnë vendet e caktuara perëndimore, sepse me këtë as nuk mund të ndikojnë në politikën tonë redaktuese. E dini, mjaft media kinse të pavarura, marrin para nga qeveritë e SHBA-së, Britanisë, Norvegjisë, Gjermanisë, madje edhe për shumë vjet. Pse ato media nuk bëhen me shenjë se me kë bashkëpunojnë? Pse CNN nuk etiketohet se me kë bashkëpunon dhe në fund, pse media e juaj me reputacion (Radio Evropa e Lirë) nuk etiketohet se me kë bashkëpunon”, theksoi Lagjeviq.
Radio Evropa e Lirë në Serbi është e regjistruar si përfaqësi e huaj. Bëhet fjalë për media të pavarur, e cila në drejtorinë për tatim në Shtetet e Bashkuara është e regjistruar si organizatë private, jofitimprurëse, e cila financohet nga granti i SHBA-së përmes Agjencisë amerikane për Media Globale. Politika editoriale e pavarur e Radios Evropa e Lirë garantohet me ligjin e SHBA-së.
Situatën në të cilën janë gjetur mediat e caktuara në Serbi, redaktori i Telegrafit Serb e konsideron absurde.
“Sot kemi një situatë absurde, që mund të themelojë, të themi, Qeveria e SHBA-së, të të financojë më pas qeveria e një vendi tjetër evropian, por Twitter duket se nuk dëshiron ta shohë këtë. Sidoqoftë, më mirë të më etiketojnë se bashkëpunoj me qeverinë e vendit tim sesa me ndonjë të huaj, pavarësisht se a është nga Lindja apo Perëndimi”, tha Lagjeviq.
“Informer”: Twitter shenjon mediat që s’u shkojnë përshtati të fiuqishmëve
Gazeta ditore Informer, komentin e saj e ka dhënë në formë të komunikatës në faqen e internetit. Ajo e akuzon Twitterin për, siç thuhet, “bërje me shenjë të mediave”.
“Twitter, recetën e saj për t’i bërë me shenjë mediat, të cilat nuk u shkojnë për shtati të fuqishmëve të huaj, tashmë e ka provuar mbi Donald Trumpin, të cilit i është hequr llogaria në këtë platformë pas zgjedhjeve presidenciale, për shkak se ka treguar për mashtrimet e demokratëve gjatë zgjedhjeve. Tash të njëjtën metodë ka nisur ta zbatojë edhe në Serbi”, thuhet në tekstin e publikuar më 16 gusht.
Më 9 janar të këtij viti, kompania Twitter pezulloi përgjithmonë llogarinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës, pas trazirave në Uashington, kur mbështetësit e dhunshëm të Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit.
Mariq, në emër të TV “Happy”: Asgjë e keqe nga shenjëzimi i Twitter
Milomir Mariq, kryeredaktor i TV Happy, një televizion komercial me frekuencë kombëtare në Serbi, të cilit Twitter i vendosi etiketën, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se ai nuk shihte asgjë të keqe në këtë veprim.
“Unë shpresoj që të gjitha televizionet e rëndësishme evropiane bashkëpunojnë me njerëzit që sjellin vendime vendimtare në vendet e tyre. Në këtë vendim të Twitterit nuk kam parë asgjë të keqe”, tha Mariq.
Radio Evropa e Lirë është përpjekur të marrë komente edhe nga mediat tjera, të cilat janë etiketuar në këtë mënyrë, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë arritur përgjigjet.
Çfarë tregojnë analizat e përmbajtjes së mediave në Serbi?
Në mesin e mediave që Twitter i shënoi si “bashkëpunëtorë të qeverisë” janë gjetur edhe shërbimi publik medial Radio Televizioni i Serbisë (RTS), agjencia e lajmeve “Tanjug”, televizionet komerciale me frekuencën kombëtare “Pink”, “Prva”, “B92” dhe “Happy”, si dhe të përditshmet e shtypura “Kurir”, “Informator”, “Politika” dhe “Telegrafi Serb”.
Në prill 2021, portali “Raskrikavanje” (Demaskimi), i cili merret me zbulimin e lajmeve të rreme dhe me analizimin e mediave në Serbi, publikoi një analizë të pesë të përditshmeve: “Telegrafi Serb”, “Informer”, “Alo”, “Kurir” dhe “Veçernje Novosti”.
Duke analizuar përmbajtjet e botuara nga këto gazeta në vitin 2020, portali “Raskrikavanje” erdhi në përfundim se të pesë gazetat ishin “jashtëzakonisht të prirura” ndaj presidentin të Serbisë dhe kryetarit të Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiq, i cili, siç thuhet, u prezantua “pothuajse pa përjashtim, gjithmonë në kontekstin pozitiv”.
Kur bëhet fjalë për televizionet me frekuencë kombëtare në Serbi, analiza e përmbajtjes së tyre, e bërë nga Qendra joqeveritare për Kërkimin, Transparencën dhe Llogaridhënien (CRTA), në mars të vitit 2021, tregoi se partitë qeverisëse në Serbi janë të përfaqësuara kryesisht në programet qendrore të lajmeve të atyre televizioneve.
Hulumtimi mbuloi programet qendrore të lajmeve të televizioneve me frekuenca kombëtare: Radio Televizioni i Serbisë (RTS), “Pink”, “Prva”, “Happy” dhe “B92”.
Llogaritë e të gjitha këtyre televizioneve të përmendura, që nga 17 gushti, në Twitter mbajnë shenjën se bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë.
Vuçiq: Urime mediave të shënuara
Vendimin e Twitterit e ka komentuar edhe presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, më 17 gusht, Vuçiq tha se etiketa e Twitterit ishte “lavdërim për ato media”.
“Unë vetëm nuk e kuptova pse u shqetësuat të gjithë për këtë. Epo, me kë do të bashkëpunojnë? Me manjatët, hajdutët dhe kriminelët? Është shumë normale që ata do të bashkëpunojnë me qeverinë. Njëkohësisht ata thonë dhe ‘bashkëpunojnë’, ndërkaq ne as që i paguajmë shumicën e atyre mediave”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Bajina Bashta.
Ai ngriti çështjen e censurës dhe e lidhi rastin me anulimin e llogarisë në Twitter të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
“Kjo çon deri te një pyetje tjetër, kush është censori i vërtetë? Ata do të donin të ishin censurues, kështu që mezi pres që llogaria ime të përjashtohet, të jetë një Trump tjetër në botë”, tha Vuçiq.
Ministria e Kulturës e Serbisë – “e befasuar” nga etikemi i medieve nga Twitter
Ministria e Kulturës e Qeverinë e Serbisë gjithashtu reagoi ndaj vendimit të Twitterit për të etiketuar llogaritë e mediave të caktuara serbe.
Në një komunikatë të lëshuar më 17 gusht, Ministria e Kulturës deklaroi se ishte “e befasuar” nga veprimet e kompanisë.
“Paralajmërimi nga Twitter se llogaritë e mediave që mbajnë këtë etiketë nuk do t’ua rekomandojnë njerëzve dhe as nuk do të ‘forcojnë’ shtrirjen e postimeve të tyre, është në kundërshtim me parimet dhe qëllimin me të cilin filloi ky rrjet”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu është shtuar që etiketimin e mediave e konsideron “të padëshirueshëm”.
“Ministria nuk do të merret me atë se çfarë e shtyri këtë faqe të internetit shumëgjuhëshe që nga shkëmbimi i mendimeve dhe lirisë së fjalës, gjë që i theksojnë edhe vetë ata, të arrijnë deri te censurimi i disa mediave në vendin tonë. Por, tërheq vëmendjen për faktin se shënimi i mediave dhe redaktorëve ose drejtuesve të tyre, pavarësisht se nga vjen, është i padëshirueshëm dhe nuk çon në dialogun demokratik për të cilin ne si shoqëri përpiqemi”, është thënë nga kjo ministri.
Në vitin 2019, Twitter gjithashtu ndaloi reklamimin e të gjitha mediave të lidhura me shtetin, si dhe reklamat politike, me qëllim që t’u sigurojë njerëzve që përdorin Twitterin kontekstin, në bazë të të cilin ata mund të marrin vendime për atë që shohin në Twitter, si dhe vendimet se në cilën mënyrë do të marrin pjesë.
“Besojmë se shtrirja (reach) politike duhet të fitohet dhe jo të blihet”, ka thënë Twitter në sqarimin për këtë vendim.
(REL)