U kap me ilaçe të kontrabanduara nga Serbia, Beogradi thotë se “u rrëmbye” nga policia speciale e Kosovës

Prishtinë /Beograd, 2 gusht 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se sot (e hënë) në fshatin Rudar të komunës së Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, e ka ndaluar shoferin e një autoambulance që dyshohet se po kontrabandonte ilaçe.

Në njoftimin e Policisë thuhet se në auto-ambulancën që po drejtohej nga i dyshuari me iniciale D.S. janë gjetur pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë, gjë që shpie në dyshimin se produktet medicinale janë futur kontrabandë nga Serbia.

“Sot më 02.08.2022 rreth orës 13:30 në fshatin Rudare të Zveçanit, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu, kanë ndaluar një automjet me të cilin po kontrabandoheshin barna. Automjeti i ndaluar ishte një auto-ambulancë që drejtohej nga D.S., viti i lindjes 1965 në Mitrovicë e me banim në Zveçan. Njësitet policore, gjatë kontrollimit të automjetit, të ngarkuar në të, kanë hasur pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë. Drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicinale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore.

Policia për rastin e ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe rasti në koordinim me të është duke u trajtuar nga policia”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Bashke  me njoftimin policia  ka shpërndarë edhe fotografi të ngarkesës së zbuluar në autoambulancë.

Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, lansoi versionin e tij për rastin. Ai tha se shoferi i autoambulancës, të cilin e identifikoi si Dejan Spahiq, siç u shpreh, “u rrëmbye nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës”, derisa po transportonte infuzione dhe ilaçe nga Leposaviqi në Mitrovicë të Veriut.

“Rreth orës 14:00, një makinë e njësive speciale ia ka bllokuar rrugën një autoambulance. Katër policë të armatosur e kanë rrëmbyer shoferin Dejan Spahiq dhe një pjesëtar i njësive speciale ka hipur në autoambulancë dhe ka udhëtuar me të drejt jugut, në një vend të panjohur”, ka thënë Petkoviq.

Sikur edhe për raste të tjera, Petkoviq e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Madje, ai paralajmëroi se do të ngrihet kallëzim penal kundër Kurtit, për shkak se, siç u shpreh, “ka vazhduar të terrorizojë popullatën serbe në veri të Kosovës”.

Petkoviq i akuzoi autoritetet e Kosovës se, siç u shpreh, “prej më shumë se një viti e gjysmë na kanë ndaluar që të dërgojmë ilaçe në spitalet tona” në Kosovë dhe se nga Brukseli ka kërkuar më shumë se pesë herë që ta zgjidhë çështjen e dërgimit të medikamenteve në spitalet e Kosovës që janë pjesë e sistemit shëndetësor të Serbisë.

(r.m.)