Bruksel, 9 qershor 2023 – Burime diplomatike në Bashkimin Evropian e kanë cilësuar serioz tekstin e draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të dorëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Teksti është i shkruar me shumë seriozitet. Edhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një burim që ka thënë se e ka parë tekstin.
Burimi ka thënë se në vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, ky tekst “shihet si një kontribut, sikurse edhe drafte tjera që janë punuar deri me tash nga organizatat e ndryshme joqeveritare“.
Por, burimet diplomatike e quajnë të parëndësishme se si shihet drafti në Bruksel, por si tajtohet nga Prishtina dhe nga Beogradi.
“Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton këtë draft BE-ja, por si e trajtojnë palët – Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“, ka thënë një diplomat i BE-së.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar të enjten, më 8 qershor, se presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ua ka dërguar një draft për Asociacionin, të hartuar nga “ekspertë” evropianë e amkanë.
Sipas Ramës ky draft është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.
Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me draftin e propozuar nga Shqipëria.
BE-ja, si ndërmjtëse në dialgun mes Kosovës e Serbisë, thotë se, përveç drafteve të ndryshme të paraqitura nga organizata të ndryshme, janë paraqitur edhe shumë “shembuj evropianë“, që mund të shërbejnë si model për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.
Në takimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, është prezantuar një draft i statutit të Asociacionit, i hartuar nga Ekipi Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb. Ky draft është refuzuar menjëherë nga Kosova dhe Kurti e prezantoi “draft vizionin“ tij, që bazohet në modelin e Kroacisë, ku ekziston një Këshill Kombëtar për komunitetin serb.
BE-ja thotë se ka shumë modele që mund të merren parasysh dhe kjo çështje, mund të përmbyllet me sukses, nëse do të kenë vullnet dy palët.
(r.m.)