Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
E ndajmë edhe me opinionin publik këtë nisje zyrtare të punës sonë të përbashkët fillimisht si nevojë për të komunikuar me dyer të hapura disa norma të Kodit Etik të Këshillit të Ministrave dhe përmbajtjen e vendimeve që do të marrim në këtë mbledhje të parë që qeverisë së re.
Çdo anëtar i kabinetit duhet të zotohet këtu publikisht në respektimin me besnikëri në frymë dhe në germë të Kodit Etik, duke marrë kështu qysh sot edhe përpara publikut përgjegjësinë personale për zbatimin e tij.
Teksti i Kodit Etik është aprovuar me vendim të qeverisë në shtator të vitit 2013, si një dokument parimesh që përcakton vijën e sjelljes së anëtarëve të qeverisë. Kodi është në fuqi dhe unë këtu do qëndroj në disa pika kyçe të thëna ose jo shprehimisht në dokumentin e miratuar.
Fjalët që do dëgjoni janë rrjedhojë edhe e eksperiencës e këtyre viteve dhe e nevojës që jo vetëm puna, por edhe sjellja publike e anëtarëve të qeverisë të jetë sa më e njehësuar me pritshmërinë e qytetarëve ndaj nesh, që ata na kanë besuar shërbimin e lartë të qeverisjes së vendit.
Për shembull, në Kod nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë nuk duhet të fluturojnë si rregull në business class kur udhëtojnë nëpër Europë, as që anëtarët e qeverisë nuk mund të shkojnë me pushime jashtë shtetit. Nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë të mund shkojnë në kafene ose të drekojnë ose darkojnë në restorant gjatë ditëve të punës, përveçse festa familjare për të cilat njoftojnë paraprakisht kabinetin e Kryeministrit ose vetëm në raste të veçanta kur dreka apo darka ka një arsye pune të bërë me dije më parë. Natyrisht këtu nuk e kam fjalën për rastet kur ministrat janë me punë jashtë Tiranës, por për ditët e punës në Tiranë.
Dy të parat, për udhëtimet dhe pushimet përgjithësisht janë zbatuar dhe kjo ka shënuar një ndryshim të rëndësishëm në aspektin etik, krahasuar me kohët e mëparshme kur anëtarët e qeverisë udhëtonin si biznesmenë apo shulleheshin në plazhet e botës. Por edhe këto duhen shtuar për miratim dhe detajuar në një aneks të Kodit ku të shkruhen të gjitha rastet përjashtimore apo të përcaktohet shprehimisht, fjala vjen, se një ministër nuk mund të pranojë bileta udhëtimi të paguara nga kompani private as për veten, as për bashkëshortin apo bashkëshorten apo fëmijët e vet. Ashtu si psh duhet përcaktuar në aneksin e Kodit Etik që bashkëshortët e fëmijët e tyre nuk mund të përdorin sallën VIP të aeroportit nëse nuk udhëtojnë së bashku me ministrin përkatës.
E njëjta gjë vlen për lëvizjen e veturave të anëtarëve të qeverisë në rrugë, të cilat duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit njësoj si të gjitha automjetet, përveçse në raste urgjencash të pashmangshme apo njësoj ndalimi i përdorimit të makinës së ministrit për familjarët, në mungesë të tij/saj.
E treta, ndalimi për të shkuar në restorant apo kafene, në ditët e punës, përvec rasteve që u parathanë, megjithëse është sjellë në vëmendje nga ana ime më shumë sesa një herë, për fat të keq nuk është zbatuar. Kjo është dhe arsyeja që përveçse për të shprehur nevojën e një aneksi të detajuar të Kodit, dua ta them publikisht sot që të gjithë qytetarët ta dine, së pari, që qeveria ka një Kod Etik dhe së dyti, ky Kod Etik nuk është vetëm një kornizë normash të përgjithshme etike në letër, por një mënyrë jetese për detyrën publike të çdo ministri në respekt të qytetarëve.
Ndaj, dua ta bëj me dije dhe publikisht që në rastin e parë të mosrespektimit të këtyre dhe të tjera pikave të Kodit Etik, ministri përgjegjës duhet të kërkojë ndjesë publike, ndërsa në rast përsëritje, duhet të lirojë vendin në këtë tryezë. Për të mos patur asnjë ekuivok , kjo kornizë vlen njësoj edhe për mua dhe më vjen mirë ta them që jo vetëm nuk e kam pasur problem ta respektoj 8 vjet, por nuk e kam problem ta respektoj edhe 4 të tjera.
Një tjetër cështje që aneksi i Kodit duhet të sanksionojë dhe të detajojë janë dhuratat e lidhura me funksionin. Sot, Kryeministria ka një muze të dhuratave dhe një magazinë të posaçme që ruhen të gjitha dhuratat për shkak të detyrës, që nga medaljonet e këmbyera në takimet zyrtare apo objektet e ndryshme artistike, pavarësisht vlerës së tyre, të ulët apo të lartë monetare, deri tek dhuratat me vlera shumë të larta monetare.
Deri në vitin 2013, nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, zero, a thua se deri në 2013 këtu ka qëndruar një fuqi pushtuese, e cila ka ikur pa lënë asnjë gjurmë. Madje, jo vetëm nuk kanë lënë ç’kanë marrë, por edhe kanë marrë plot gjëra nga ato që kanë gjetur këtu apo godinat e shërbimeve qeveritare; piktura, abazhurë, karrike, kolltukë, tavolina, televizorë, kompjutera, pjata, lugë, pirunj, filxhanë, e me radhë.
Nuk bën përjashtim nga ky absurditet antishtet as historiku i zyrave administrore. Por meqë nuk është shkruar asgjëkundi detyrimi për të inventarizuar dhuratat dhe objektet ekzistuese të zyrave që ju do keni nëpër ministri, atëherë edhe kjo duhet shkruar në aneksin e Kodit, që të gjitha dhuratat e delegacioneve të çfarëdo natyre apo të individëve që tejkalojnë një vlerë të caktuar financiare si për shembull, si psh orët e dorës, duhen inventarizuar dhe ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës suaj ose duhen dorëzuar në stokun e muzeut të dhuratave protokollare në godinën e Këshillit të Ministrave apo godinën e ministrive kur një hapësirë e tillë është e mundur.
Këto të gjitha mund të tingëllojnë si gjëra të vogla ose disave që me siguri do i komentojnë me lloj-lloj formash, mund t’i duken kinezerira. Por në fakt, këto kinezerira janë norma të zbatuara denbabaden në të gjitha shtetet që meritojnë të quhen të tilla.
Kodi do vlejë njësoj edhe për zëvëndësministrat dhe është detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë që krahas hartimit të aneksit të Kodit Etik të Këshillit të Ministrave, të sjellë në mbledhjen e tretë të qeverisë, në bashkëpunim me sekretarët e përgjithshëm të ministrive edhe projektvendimin për rregullat e sjelljes që drejtuesve të lartë të institucioneve të pushtetit ekzekutiv, qofshin ato kombëtarë apo rajonale, të cilët do t’i nënshtrohen një sërë detyrimesh të natyrësh etike dhe duhet të marrim përgjegjësi publike, por edhe administrative për zbatimin e tyre.
Është detyra juaj të ndiqni ecurinë në procesin e zbatimit të këtyre rregullave që do miratojmë edhe për ta, me vetëdijen se ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë të administratës shtetërore, kapadaillëkun, tangërllëkun, dhe karshillëkun publik të shefave të llojllojshëm nëpër territor.
Një aspekt i rëndësishëm i Kodit tonë Etik, i cili është normë e kudondodhur në dokumenta të ngjashëm të shumë qeverive demokratike të botës, është respektimi i parimit të kolegjialitetit, jo vetëm në procesin vendimmarrës, por edhe në komunikimin publik, jo vetëm të anëtarëve të kabinetit qeverisës, por të të gjithë drejtuesve të lartë të institucioneve qëndrore apo rajonale të ekzekutivit.
E sjell këtë në vëmendjen tuaj si nevojë duke mbajtur parasysh domosdoshmërinë e koordinimit me kryeminsitrinë për çdo komunikim publik, në kushtet kur komunikimi tanimë është shtrirë gjërësisht edhe në rrjetet sociale.
Na kanë vrarë sytë në këto vite dhe na kanë bërë të ndjehemi keq në sytë e publikut disa raste të patolerueshme drejtorësh të institucioneve, të cilët papërgjegjshmërisht organizojnë mbrëmje tematiko-dëfrimi me kolektivin. Nuk flas as për 8 marsin, as për Vitin e Ri ku mund të organizohen festa, por kurrsesi me fondet e agjensive dhe drejtorive apo ndërmarrin të ashtëquajturat udhëtime pune jashtë shtetit me kanakarë të tyre, prej të cilave postojnë pastaj pa asnjë gajle momente të hareshme këndelljesh turistike, duke e bërë të neveritshme fare figurën e zyrtarit të shtetit.
Asnjë udhëtim pune jashtë shtetit, në ditët e punës për shtetin, me lekët e shtetit i asnjë delegacioni, grupi apo kolektivi për asnjë drejtues institucionesh në qëndër apo rajone që nuk kanë marrë miratimin tuaj dhe për të cilët nuk është njoftuar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nuk do konsiderohet në përputhje me etikën e kësaj qeverie.
Dokumenti për rregullat e sjelljes së drejtuesve të lartë të administratës shtetërore duhet të parashikojë sanksione për çdo shkelje të normave të etikës të përcaktuara në këtë dokument, të cilën siç e thashë do ta miratojmë në mbledhjen e tretë të qeverisë.
Po ashtu, shpenzimet e asnjë vizite pune jashtë shtetit të asnjë ministri apo delegacioni apo grupi të kujtdo institucioni shtetëror në varësinë tuaj që nuk do mbyllet me dorëzimin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme të raportit të vizitës, nuk do paguhet nga thesari i shtetit.
Fatimirësisht, kjo është rregulluar disi vitet e fundit nga ministrat dhe fakti që edhe vetë ministrat u desh kohë të mësoheshin me këtë praktikë elementare shtetërore, flet vetë për shkretëtirën tradicionale të ndërgjegjes së shtetit që trashëguam edhe në këtë drejtim.
Kjo duhet shtrirë në të gjitha nivelet e larta drejtuese të administratës shtetërore të ekzekutivit sepse është e pajustifikueshme dhe e patolerueshme që në këtë shtet të mos mbetet asnjë gjurmë e një pjese të konsiderushme vizitash dhe kontaktesh me jashtë, siç ndodh në cdo shtet serioz. Kjo quhet memorie e shtetit dhe të ikësh e të vish për punë shteti pa lënë asnjë gjurmë në memorie do të thotë që punët e shtetit mbetet vetëm për memorien individuale të shefave që ikin apo vijnë, ndërkohë memoria institucionale e marrëdhënieve me jashtë mbetet tabula rasa.
Ky është momenti për ta rikonceptuar dhe organizimin dhe punën e protokollit të shtetit të Kryeministrisë dhe ministrive në funksion të përmbushjes së plotë të nevojës jetike shtetërore për të vendosur në punë të gjithë mekanizmin e kësaj memorie që u hodh në erë dhe u tret nën gërmadha qysh prej vitit 1991 dhe në vitet e fundit ka filluar të vihet në jetë por është ende larg së qëni mekanizëmi i memories së një shteti serioz.
Një tjetër moment me rëndësi i Kodit Etik është përshkrimi i marrëdhënies së ministrit me administratën që drejton, ku ju kërkoj të merrni përgjegjësi të posaçme në të tëra aspektet. Së pari, në motivimin moral dhe profesional të administratës, bashkëpunim i ngushtë të strukturuar dhe sistematik me Departamentin e Administratës Publike dhe Shkollën e Administratës Publike.
Së dyti, në mbrojtjen e promovimit konstant të meritës në administratë duke vendosur autoritetin tuaj si një digë të pakapërcyeshme për ndërhyrje të natyres partiake, klanore apo klienteliste për vende pune në shtet.
Së treti, në garantimin e derës së për çdo shqiptar dhe shqiptare të talentuar, të mirëshkolluar, me eksperiencë punë brenda apo jashtë shtetit, duke u angazhuar ju seriozisht ju në vetë të pare, qoftë me aplikantët e Nismës Gati për Shqipërisë, qoftë me progresin në organizimin e punës së administratës, me prani fizike dhe online.
Pandemia na ka mësuar gjëra me vlerë të madhe dhe përtej faktit se në dinamikën e përballjes me mutacionet e virusit, mund të na duhet të rikthehemi të kombinimi i punës në zyrë dhe në distancë si masë mbrojtëse, ne duhet të shkojmë përtej pandemisë me këtë ide që na ka sjellë dhuratë koha.
Do zhvillojmë mbledhje të posaçme lidhur me këto pika dhe problematikat e administratës në tërësi prandaj nuk po zgjatem më tutje për të vazhduar me etikën në marrëdhënien me parlamentin.
Kodi Etik në fuqi e cek shumë kalimthi në fakt këtë marrëdhënie dhe ka nevojë për amendime plotësuese sepse ndalet vetëm në aspektin e detyrimit të anëtarit të qeverisë për të lajmëruar deputetët përkatës kur shkon për vizitë punë në territor, çka edhe kjo nuk ka ndodhur si një normë rutinë e punës.
Etika e ministrit në këto marrëdhënie lidhet pazgjidhshmërisht me domosdoshmërinë dhe mishërimin në to të faktit të thjeshtë që qeveria buron nga parlamenti e nuk buron parlamenti nga qeveria. Prandaj, ju lutem shumë të gjithëve që prania juaj në komisionet parlamentare per projektligjet e qeverisë nuk duhet të vihet në diskutim, përveçse në rastet ekstreme pamundësie të lajmëruara përpara apo edhe në moment të fundit dhe të dakordësuara me kryetarin e grupit parlamentar.
Ashtu sikundër, përveçse në raste pamundësie apo mos ndodhjeje në Tiranë, vetëm për arsye pune, nuk duhet të vihet në diskutim prania juaj e të gjithëve ju në hapjen e seancave parlamentare dhe jo vetëm prania, por prania në kohën fikse të fillimit të seancës. Gjithashtu dhe scheduli i largimit nga seanca duhet të dakordësohet me Ministren e Marrëdhënieve me Parlamentin në mënyrë që tryeza e qeverisë në Kuvend të mos mbetet asnjëherë pa praninë e të paktën 1/3 së ministrave ndërsa largimet për arsye të paparashikuara do bëhet vetëm me leje të kryetarit të grupit parlamentar.
Ky në fakt është minimumi etik në marrëdhëniet qeveri –parlament, sepse kjo qeveri duhet të krijojë një raport të tërë komunikimi proaktiv me komisionet parlamentare, jo vetëm duke ndërvepruar sistematikisht me deputetët e grupit tonë në komisionin përkatës, por duke vënë në dijeni drejtuesit e opozitës në komisione, për çështje me rëndësi apo informacione të dobishme për punën.
Një tjetër shkelje etike e vënë re gjatë mandatit të shkuar ka qenë dalja e pa konceptueshme në disa raste e ministrave nga fryma e kolegjialitetit të vendimmarrjes në qeveri, me letra individuale dërguar komisionit të kuvendit, apo qëndrime individuale në komision për mosdakordësi me gjëra të vendosura bashkërisht këtu, për t’u shqyrtuar për miratim përfundimtar atje.
Ju siguroj se në çdo Kod etik të qeverive demokratike që kemi hulumtuar, kjo konsiderohet një thyerje e rëndë e vijës së sjelljes në qeveri. Në procesin e diskutimeve në Kuvend gjithçka mund të ndryshojë natyrisht, por është absurde që ministri, jo të mos mbrojë me argumente një vendimmarrje të qeverisë, por të arrijë deri ta kundërshtojë sepse medemek cënon sektorin e vet në favor të një sektori tjetër.
Sektorët nuk janë feude ministrore dhe ka vetëm një sektor për të cilin punon e gjithë qeveria. Ky sektor është Shqipëria dhe Shqipëria e ka vetëm një buxhet dhe ky është buxheti i Republikës së Shqipërisë. Siç e thashë, në fjalën e paraqitjes së programit të qeverisë sonë, ne nuk do t’i kundërpërgjigjemi me formatin e vjetër tradicional të fletërrufeve të konferencave të shtypit të opozitës.
Është një format që e ka mbushur me kohë dhe e ka derdhur në fakt, ka kohë, kupën e durimit të popullit, me akuza dhe kundërakuza, shpoti dhe kundërshpoti, me politikë dhe kundër politikë, e cila e ka neveritur vetë politikën, ndërkohë që politika nuk ka lindur si një mollë ekskluzive sherri mes politikanëve, por si e vetmja mundësi që qeniet njerëzore të bëjnë sëbashku për të mirën e shoqërisë, gjëra të cilat të vetmuar nuk kanë se si i bëjnë dot.
Ne kemi vetëm 4 vjet në dispozicion për të bërë gjërat për të cilat shqiptarët u bënë shumicë për të na mbështetur ne për të tretën herë rradhazi, siç nuk janë bërë kurrë më parë.
Prandaj nuk mund e nuk duhet të çojmë dëm, jo asnjë ditë, por asnjë orë duke u marrë me e lagu apo nuk e lagu me opozitën.
Qeveria e re do të ketë në funksion të plotë në pak ditët në vijim, një faqe të saj të re online, ku do të kemi dhe një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut mbi çdo akuzë, denoncim apo pretendim me interes publik. Në atë rubrikë, secili dhe secila prej jush do përgjigjet me shkrim dhe me përgjegjësi individuale dhe institucionale për vërtetësinë e informacionit që do të japë. Kush, besoj kjo nuk do të ndodhë por sidoqoftë, nuk do të thotë të vërtetën, do të marrë pastaj mbi vete dhe përgjegjësitë morale, politike, institucionale dhe po të jetë rasti edhe ligjore nëse koha do të provojë të kundërtën lidhur me akuzën, denoncimin, pretendimin.
Në mbledhjen e parë të një kabineti të ri, unë jap një porosi që nuk ndryshon. Ministër nuk bëhesh vet, të bën kryeministri, por vendin nuk ta mbaj unë, duhet ta mbash vetë. Kjo vlen për punën, por dhe për moralin institucional dhe natyrisht kjo vlen dhe për dyshemenë ku shkel. Dyshemeja e qeverisë është ligji, jashtë perimetrit të saj ka vetëm pasarela dërrasash të kalbura e kush shkel në dërrasë të kalbur, punën e ka me organet ligj zbatuese, jo me mua, as me qeverinë, as me partinë. Kjo është porosia ime dhe unë dua të jeni të sigurt, do t’ju mbështes pa asnjë kursim në përpjekjen e secilit prej jush për të arritur objektivat e përbashkëta. Do t’ju mbroj publikisht pa asnjë rezervë përballë çdo agresioni dhe kundërshtari të progresit që duam të sjellim bashkërisht. Do t’ju ruaj dhe shpinën nga çdo erë kundra jush që mund të fryjë për shkak të detyrës brenda shtëpisë sonë të përbashkët por edhe një herë, as mua, as Partinë Socialiste nuk do ta ketë mbrapa kush do të hedhë qoftë dhe një hap jashtë dyshemesë së ligjit.
Familja ime nuk ka asnjë lidhje me punët e shtetit, ju kërkoj edhe juve t’i mbani larg familjet tuaja nga dyert e punëve të shtetit, nga fondet publike dhe nga kërkesat e të tretëve, qofshin kushërinj, krushq apo miq, për favore sado të vogla. Nga llafet e nga akuzat nuk do të shpëtoni kurrë edhe sikur të mbylleni në kullë si Oso Kuka e të flini vetëm gjumë, por e drejta dhe e vërteta, mundi dhe puna janë ato që vlejnë dhe janë ato që mbeten. Të tjerat i merr që të gjitha era e harresës. Prandaj përqendrohuni në punë, punoni pa u lodhur dhe pa i bërë hile as punës e askujt. Mos u shpërqendroni nga agresionet e padenja, nga sulmet e padrejta, nga thashethemet e pabaza. Mësohuni me idenë se sa më shumë të përpiqeni aq më shumë do të goditeni e do të përfliteni, këtë nuk e ndryshoni dot nëse besoni tek ajo që bëni dhe jeni gati të bëni atë që besoni.
E fundit, por në fakt më e rëndësishmja e këtyre pikave të rëndësishme është etika në marrëdhëniet me qytetarët, me njerëzit e këtij vendi, me ata që na kanë bërë nderin më të madh në jetë, duke na dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të udhëheqim atdheun tonë. Natyrisht, nuk kam çfarë flas për etikën e secilit apo të secilës prej jush si njerëz në raport me njerëzit. Do dukej një predikim i tepërt sepse as që dua ta mendoj e jo më pastaj ta diskutoj që edhe mund të mos e keni parasysh se çfarë korrektese duhet t’ju karakterizojë. Fjalën e kam për etikën institucionale të ministrive dhe institucioneve të varësisë në marrëdhëniet me qytetarët. Sinqerisht nuk më intereson asnjë reformë, asnjë program, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë shpenzim, asnjë rrugë, asnjë kanalizim dhe nuk do pranoj dot asnjë justifikim përpara imperativit të cilësisë së marrëdhënies së kësaj qeverie me çdo qytetar të kësaj republike, me çdo njeri të zakonshëm, i bardhë, i zi, i majtë, i djathtë, i ri, i moshuar, në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë që troket në derën tonë për të qarë një hall, për të zgjidhur një problem, për t’u ankuar për një çështje që me ligj e me zakon i takon qeverisë, na takon të gjithëve ne këtu dhe zinxhirit ekzekutiv të qeverisë në territor që ta trajtojë.
Kjo derë është platforma e bashkëqeverisjes, shqipëriaqeduam.al, e cila do të jetë, dhe vendimi i parë i kësaj qeverie sot, për ta çuar në Kuvend, duke kthyer në ligj për të gjithë me përmbajtjen e projektligjit të cilin e kemi gati e ku kemi adresuar të gjithë bagazhin e eksperiencës dhe të mësimeve të marra nga funksionimi i platformës gjatë mandatit të dytë, mbase do zgjatemi në pjesën tjetër, por një gjë është me rëndësi të thuhet shumë qartë në këtë fjalë të hyrjes zyrtarisht në mandatin e tretë dhe në sy të opinionit publik.
Marrëdhëniet e institucioneve me publikun në këtë shtet nuk mund të jenë opsionale, as çështje fakultative vullnetesh të ndryshme personale. Do një ministër kujdeset për to, nuk do një tjetër, ato ngecin. Do një shef zyre marrëdhëniesh me publikun, zyra i përgjigjet qytetarëve, nuk do një shef tjetër zyre, njerëzit nuk marrin përgjigje. Do një drejtor në institucion, qytetarët trajtohen mirë, nuk do një drejtor, qytetarët keqtrajtohen. Kjo duhet të jetë një marrëdhënie detyruese, e përpiktë, moralisht dhe ligjërisht. Siç lini çdo gjë për të shkuar në parlament kur ju kërkon interpelancë një grup deputetësh, duhet të lini çdo gjë tjetër kur një qytetar mbetet pa përgjigje, mbetet pa zgjidhje, mbetet pa adresë, për shkak të zinxhirit të varësisë suaj, i cili nuk e përfill dhe duhet të tundni dynjanë njësoj sikur qytetari të ishte babai juaj, nëna juaj, vëllai juaj, motra apo djali juaj. Madje për këta të fundit s’keni pse tundni askënd kurse për ata të tjerët duhet të tundni gjithçka.
Ne këtu në këtë tryezë nuk e rregullojmë dot, kush e ka eksperiencën tanimë në drejtim, e di shumë mirë, nuk ka shkop magjik për funksionimin sa hap e mbyll sytë të të gjithë institucioneve që duhet të japin dokumente dhe të zgjidhin halle të shkaktuara për fajin e shtetit, sepse kjo do të kërkojë kohën e vetë, sepse nga gropa e zezë e sporteleve me shufra hekuri dhe institucione me tym qoftesh ku u nisëm për të vazhduar këtë përpjekje, nuk kemi bërë pak, por nuk mund të bënim dot as ne, e askush tjetër gjithçka sepse bota administratat i ka ndërtuar me shekuj e nuk i ka shembur e shkatërruar si kalanë e Rozafës sipas dufeve dhe tekave të partisë, çohu Lena, ulu Prena, një herë në vit e një herë në dy vjet. Ama, ne këtu dhe ju këtu, mund t’i rrini që çke me atë punë me shkop, jo magjik, mbi kokë, drejtorëve, shefave, përgjegjësve e kujtdo poshtë jush nëpër zyrat e shërbimit të shtetit që lë qytetarët varur në telin e indiferencës burokratike.
Do t’ju lutesha ta lexoni vetë deri në fund, gërmë për gërmë ligjin e ri të bashkëqeverisjes, ta konsideroni biblën dhe kuranin e shërbimeve ndaj publikut, për të gjithë ata që keni në varësinë tuaj, duke ju kërkuar, jo vetëm zyrtarisht, por dhe njerëzisht që të mos më lini vetëm në këtë përpjekje që e keni për detyrë si ministra, kjo nuk diskutohet, por që duhet ta kuptoni, ta ndjeni dhe ta zhvilloni si një mision human në radhë të parë. Nuk ka mëkat më të madh që të kesh pushtet të zgjidhësh hallin e dikujt me shtetin dhe të mos e bësh, siç nuk ka bekim më të madh kur je në pushtet se sa buzëqeshja e një njeriu të çliruar nga një hall që ti ia zgjidhe falë angazhimit me pushtetin tënd. Bëjeni, mblidhni sa më shumë bekime dhe mos merrni në kurriz mallkimet që na i faturojnë minjtë e hipotekave, të legalizimeve, të lejeve, të licencave të autorizimeve, të kartave të lloj-llojshme dhe pasi zgjidhet një hall i sajuar prej tyre, shkopin kokës çdo miu që e ka sajuar. Deri në mbylljen e ciklit të shërbimeve përmes dixhitalizimit e deri kur ta kemi futur plotësisht të gjithë sistemin e shërbimit të dokumenteve në telefonin dhe në kompjuterin e qytetarëve, shkopi është domosdoshmëri. Ky ligj i bashkëqeverisjes parashikon administrative dhe sanksione financiare për zyrtarët që nuk u kthejnë përgjigje në kohë qytetarëve por ligji do zbatuar e që të mos mbetet në letër e unë i pari pastaj ju të gjithë bashkë me mua, të mos bëhemi qepaze për moszbatimet kronike të ligjit. Duhet të jeni ju të gjithë shëmbëlltyra e vullnetit ligj zbatues të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.
Struktura e re e informimit publik të qeverisë, të cilën do e miratojmë po sot, duhet të angazhohet menjëherë që të jetë gati dhe fushata e informimit të qytetarëve sapo bashkëqeverisja të kthehet dhe ligj në kuvendin e Shqipërisë. Mos e harroni asnjë ditë. Ne qeverisim si një forcë e vetme politike, por këtu na kanë sjellë ata me të cilët duhet të bashkë qeverisim sepse ata na bëjnë ne të pathyeshëm në zgjedhje dhe vetëm në aleancë me ta ne mund ti bëjmë çeço zyrtarët e shërbimeve ndaj tyre.
Në mbyllje, dua të ndaj me ju dhe një projekt të ri kombëtar për forcimin e frymës dhe fuqizimin e përmbajtjes së bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Bashkëqeverisja nuk është vetëm ju ankohuni dhe ne ju zgjidhim hallet me burokracinë, por është dhe bashkë ndarje e opinioneve për vendime me rëndësi të veçantë dhe unë dua që kjo qeveri ta ftojë popullin, pa dallime politike, në konsultime kombëtare për të marrë vendime, të cilat kërkojnë, jo vetëm guxim, por edhe përfshirje të qytetarëve, mbështetje morale prej tyre, kultivimin e një sensi komuniteti për Shqipërinë, përtej të majtës dhe përtej të djathtës, përtej partive, përtej llogoreve, përtej ndasive e përtej llafeve. Këtë ide mbase ju kujtohet, e hodhëm thjesht si ide në kongresin e fundit të Partisë Socialiste, por duke reflektuar gjatë zhvillimit të idesë kam krijuar bindjen se kjo nuk është një çështje socialistësh apo demokratësh, të majtësh apo të djathtësh, votuesish apo abstenuesish, të moshuarish apo të rinjsh, aktivistësh apo indiferentësh. Kjo është një çështje etike e mosdhënieve të një qeverie për të gjithë njerëzit, me njerëzit dhe për njerëzit, e një qeverie që do të ketë ambicien të definohet si mishërimi i krenarisë për atdheun dhe si shëmbëlltyra e punës që çdo shqiptar të jetë krenar për Shqipërinë.
Natyrisht do të ulemi në ditët në vijim për të nisur punën për këshillimin e parë kombëtar dhe do startojmë që këtë vit me provën e parë të kësaj forme të re bashkëqeverisjeje, duke vendosur para popullit alternativa të ndryshme për vendime të caktuara, duke kërkuar një nga një nominalisht dakordësinë dhe zotimin tuaj për jetësimin e kësaj përmbajtjeje jetike të rolit të anëtarit të qeverisë së republikës së Shqipërisë, unë ju falënderoj me të vërtetë dhe sinqerisht që jeni këtu, për të ndarë bashkë me mua telashe dhe sprova që lidhen me të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët, por edhe me dinjitetin që ne kemi detyrimin t’i japim besimit të qytetarëve që na kanë vënë në këtë privilegj të jashtëzakonshëm për të qenë këtu, në këtë tryezë, të vendimmarrjes më të lartë të vendit tonë.
Shumë faleminderit!