U zhvillua me sukses Festivali i 6-të i Shkollave Shqipe në New York

Drita Gjongecaj

4 qershor, 2023 – Në një ambient që mban emrin domethënës Illyria, pikërisht në New Yorkun metropolitan, më 4 qershor, 2023, u mbajt Festivali VI i Shkollave Shqipe me pjesëmarrje nga tri shtetet fqinje, NY, New Jersey, dhe Connecticut.

Festivalin e hapi znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe drejtuese e Organizatës Dy-Gjuhësore Shqiptaro Amerikane – AADLC dhe Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”, njëkohësisht edhe Zv. Drejtore prej më se një dekade në një prej shkollave publike të Departamentit të Arsimit në New York.

Mori pjesë dhe përshëndeti të pranishmit, Zv. Ambasadori i Misionit të Konsullatës së Kosovës në NY, z. Fatmir Zajmi. Në fjalën e tij, Diplomati Zajmi vlerësoi punën e mësuesve që japin kontributin në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona të vyera, ndërkohë që konfirmoi edhe një herë se mbështetja ndaj këtyre përpjekjeve vazhdon të mbetet një prej misioneve parësore.

Festivali i Shkollave Shqipe në zonën e Tri-Shtetëshit është ideuar dhe e ka zanafillën pikërisht te Misioni i Kosovës në NY, qysh nga viti 2014. Bashkë me Konsullatën e Republikës së Shqipërisë ato e kanë mbështetur këtë aktivitet për vite me radhë dhe vazhdojnë ta mbështesin edhe aktualisht.

Aktivitetin e mbuloi gazetari i Zërit të Amerikës, Burim Goxhuli ardhur enkas nga Washington DC. Zëri i Amerikës është shërbimi më i madh dhe i hershëm multimediatik ndërkombëtar i SHBA dhe që transmetohet në 48 gjuhë të ndryshme. Muajin e kaluar u shënua 80 vjetori i lajmeve nga Zëri i Amerikës edhe në shqip.

Po ashtu ishte prezent në këtë aktivitet edhe Televizioni Kultura Shqiptare me producent mikun e përhershëm të shkollave shqipe, z. Adem Belliu.

Aktivistë të komunitetit, miq të shkollave shqipe, mësues dhe prindër patën kënaqësinë të ndjekin interpretime në këngë e valle nga nxënës të moshave të ndryshme. Manifestimi i vlerave kulturore dhe identitetit tonë u shpalos me një forcë madhore jo vetëm nëpërmjet muzikës dhe valleve, por edhe nëpërmjet një larmie kostumesh tradicionale nga rajone të ndryshme etnike shqiptare. Veshjet kombëtare shqiptare janë të lashta dhe kanë origjinalitetin e vet. Ato kanë motive dhe ngjyra të vecanta me anë të të cilave shqiptari ka shprehur në shekuj ndjenjat e veta prej artisti, botën, fantazinë dhe kulturën, të njihura si trashëgimi kulturore.

Ky festival është një nga aktivitetet më të rëndësishme të shkollave tona shqipe. Ai vjen pas një shkëputjeje 5 vjecare dhe kjo jo vetëm për shkak të pandemisë por edhe shkaqe të tjera subjektive. Është meritë e shkollave pjesëmarrëse që e risjellin këtë event të rëndësishëm kulturor dhe që janë pikërisht Qendra Kulturore “Struga” nga New Jersey, Qendra Kulturore “Hasan Prishtina” nga Connecticut, si dhe shkolla më e re shqipe në NY, “Mëso Shqip” bashkë me grupin e valleve “Barbana” nën drejtimin e shoqatave “Ana e Malit”, “Kraja”, dhe “Ulqini” dhe me përqëndrim në Staten Island. Po ashtu, edhe Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” që këtë vit pati nderin të jetë shkolla organizuese dhe mikpritëse e mysafirëve nga shtetet përreth New Yorkut. Sipas traditës, cdo vit njëra nga shkollat merr rolin e organizatorit të festivalit në një renditje të përcaktuar rotacioni.

Festivali i 6-të merr një rëndësi akoma më të vecantë sepse kapërceu pengesat që ekzistonin për një bashkëpunim të gjerë midis shkollave të cilat, edhe pse ndajnë të njëjtën mision, nuk gjejnë rrugën e një bashkëpunimi të mjaftueshëm që do rriste efektshmërinë e punës së tyre. Janë këto pengesa që shkaktuan dështimin e festivaleve të vitit 2019 dhe 2022 (pa marrë parasysh këtu vitet e pandemisë).

Pavarësisht nga këto, Festivali i 6-të i Shkollave Shqipe qe një sukses dhe provoi edhe një herë se aty ku ka vullnet të mirë dhe ku identiteti kombëtar është me të vërtetë motivi themelor i punës, suksesi dhe impakti marrin vlera të dukshme reale.

Festivali i shkollave shqipe mbetet një traditë e vyer që mes tjerash, mbart këto vlera:

– I bën jehonë kulturës sonë mes bashkështetasve amerikanë dhe atyre të kombësive të ndryshme që jetojnë në Amerikë e që gjithashtu e vlerësojnë dhe ruajnë kulturën e vet.

– Rikonfirmon rolin esencial të shkollave shqipe në vazhdimësinë e identitetit kombëtar.

– Motivon akoma më shumë fëmijët ta duan, mësojnë dhe përhapin kulturën dhe gjuhën shqipe.

– Nxit ndjenjën e bashkëpunimit dhe lidhjet mes fëmijëve me të njëjtën prejardhje edhe përtej grupit të vogël ku ata zakonisht mblidhen.

Festivali i 6-të u moderua nga mësuesja e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” Kristine Saliasi, dhe dy nxënësit e po kësaj shkolle, Luka Vuksanaj dhe Alfons Gjelaj. Kristine sapo është diplomuar nga Universiteti prestigjioz Fordham University me drejtim të dyfishtë professional dhe me titullin më të lartë të nderit për një student (Summa Cum Laude).

Kosflo Events, u kujdes për dekorimin jo vetëm të sallës së shfaqjes por edhe të hyrjes së Amfiteatrit Illyria, ndërsa DJ Bujar Sadikaj, shoqëroi me muzikë interpretuesit e rinj.

Të parët dolën në skenë nxënësit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” si shkolla mikpritëse. Në programin e tyre, ata interpretuan “Kënga e Alfabetit”, “Kuq e Zi Janë Ngjyrat Tona” me soliste Gulianna Stefa dhe Ujvara Hulaj, “Hapa Dollapa”, “Gjimnastika dhe Muzika” kënduar nga Ujvara Hulaj, “E Imja Kosova”, si dhe “Vallja e Tropojës” e “Vallja e Librazhdit” përgatitur nga Majlinda Tafaj, drejtuese artistike e grupit.

Grupi “Hasan Prishtina” u paraqit me Valle me muzikën e këngës “Sërish Vjen Marsi”, këngën “Mora Fjalën”, kënduar nga Eliesa dhe Elina Abazi, vallen “Jam Kosova e Shqiptarisë”, “Jemi Një”, kënduar nga Eliana Dani, për ta mbyllur programin me Vallen “Pavarësia”.

Më pas u ngjitën në skenë interpretuesit e Qendrës Kulurore “Struga” me renditjen e mëposhtme: Vallja “Suitë Kosovare” me koreografi të Mirela Serjani, kënga “Nanë moj Nanë” kënduar nga Melana Abdulaj, Pavarësia”, kënduar nga Medina Toska, dhe në mbyllje, “Vallja e Drenicës” përsëri me koreografi të Mirela Serjani.

Grupi “Barbana” solli tri valle nga grup mosha të ndryshme. Grupi i parë interpretoi vallen “Shota e Anës Malit”, Grupi i dytë – “Vallja e Ulqinit” dhe Grupi i tretë, me “Vallja e Atdheut Tim” me koreografe Hanah Demiri dhe Dia Hoxha.

Të gjitha shkollat pjesëmarrëse interpretuan sipas një minutazhi të njëjtë të paracaktuar.

Në mbyllje të këtij aktiviteti me përmasa jo aq të zakonshme, interpretuesit e të katër shkollave sollën një emocion të fuqishëm tek të pranishmit duke u ngjitur në skenë nën tingujt e këngëve “Kuq e Zi” dhe “O Sa Mirë që Jam Shqiptar!”.

Një falenderim special për të gjithë prindërit që vazhdojnë të na mbështesin në këtë mision të vështirë, por mjaft fisnik, dhe mbi të gjitha, një falënderim për mësuesit dhe drejtuesit artistik që punojnë me fëmijët e të rinjtë në mënyrë konsekuente cdo fundjavë të vitit. Në saj të punës së tyre, këta nxënës megjithëse të lindur larg trojeve të prindërve, kanë mësuar të flasin, shkruajnë, vallëzojnë e këndojnë shqip, kanë mësuar ta vlerësojnë më shumë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë.

Le të shërbejë ky aktivitet edhe si një apel për prindërit që akoma nuk i janë bashkuar shkollave shqipe për t’i regjistruar fëmijët në këto shkolla duke përfituar nga mundësitë e shumta që ofrohen në Tokën e Premtuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mënyrë që të rinjtë dhe fëmijët e diasporës të bëhen bilingual, duhet që prindër edhe mësues të punojnë paralelisht dhe po aq e rëndësishme, të kenë mbështetjen e komunitetit dhe institucioneve tona.