Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell do të tërhiqet nga kjo pozitë

Uashington, 29 shkurt 2024 – Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell tha të mërkurën se ai do të tërhiqet nga posti, duke lënë një boshllëk në udhëheqjen e partisë që ai e ka drejtuar për afër 17 vjet, duke u bërë udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Senatit.

“Javën e kaluar u bëra 82 vjeç. Fundi i kontributit tim në këtë institucion është më afër se sa do të preferoja”, tha senatori McConnell gjatë një fjalimi emocional në Senat. “Nuk jam më një senator i ri, i ulur në fund, duke shpresuar që një nga kolegët do ta mbante mend emrin tim. Ka ardhur koha për një brez të ri udhëheqësish”.

Demokratët kanë një shumicë të vogël në Senat, ku zoti McConnell ka postin e udhëheqësit të pakicës. Ai ka qenë udhëheqësi i shumicës, kur republikanët kishin shumicën në Senat.

Senatori McConnell tha se nuk do të garonte për postin e udhëheqësit të republikanëve në Senat në nëntor, që do të thotë se mandati i tij i tanishëm do të mbarojë në janar të vitit 2025, pas fillimit të punës së Kongresit të ri.

Largimi i senatorit 82 vjeçar nga Kentaki heq nga skena një nga figurat qendrore të negociatave me demokratët dhe Shtëpinë e Bardhë për buxhetin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane.

Për senatorët amerikanë kjo shënon gjithashtu largimin e një politikani të disiplinuar dhe të rregullt kundrejt qasjes së trazuar të zotit Trump, i cili kryeson garën e republikanëve për president, dhe asaj të ligjvënësve të vijës së ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Në nëntor do të zgjidhen të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një e treta e vendeve të Senatit.

(Zëri i Amerikës)