Pragë, 14 shtator 2026 – Derisa përpjekjet e fundit diplomatike nuk kanë sjellë asnjë ulje praktike të tensioneve në fushëbetejë, dy sulme me dronë rusë goditën pranë kufirit polak në orët e para të 13 shtatorit.
Sulmi i parë goditi një pikë karburanti pranë pikëkalimit kufitar Yahodyn, mes Polonisë dhe Ukrainës, në rajonin ukrainas të Volnit. Nuk u raportua për viktima.
Sulmi i dytë, po ashtu në Volin, goditi lokomotivën e një treni pasagjerësh vetëm dy kilometra larg kufirit me Poloninë, njoftoi operatori shtetëror ukrainas i hekurudhave, Ukrzaliznytsia.
Sipas Oleksandr Shevchenkos, zyrtar lokal i transportit, treni po udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës.
Ukrzaliznytsia tha se një grup që vëzhgon kërcënimet e paralajmëroi paraprakisht ekuipazhin e trenit për sulmin, prandaj nuk pati viktima.
Pamjet video të shpërndara në rrjetet sociale ukrainase treguan njerëz duke ikur nga shpërthimi në stacionin hekurudhor.
Ukrzaliznytsia tha se “ka shumë mundësi” që synimi fillestar i sulmit me dron ishte “treni diplomatik”, i cili transportonte zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë ish-kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Kompania shtoi se ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, ndodhej në një tren tjetër në atë kohë.
Petraeus i tha gazetës New York Times se kishte dëgjuar dronët rusë mbi vete dhe më pas një shpërthim, gjë që çoi në evakuimin e menjëhershëm të pasagjerëve.
“Për ata që nuk janë përballur me zjarr, kjo ishte e tmerrshme… Ky është veprimi i një udhëheqësi vërtet barbar që po përpiqet të terrorizojë civilët ukrainas”, tha Petraeus.
Teksa këto incidente po ndodhnin, alarmet për sulme ajrore u lëshuan në disa zona lindore të Polonisë.
Ndonëse nuk pati raportime për shkelje të hapësirës ajrore polake, Jacek Goryszewski, zëdhënës i Komandës Operative të Forcave të Armatosura të Polonisë, tha se “kërcënimi për Poloninë ishte real”.
Në incidente të ndara më 13 shtator, autoritetet rumune raportuan se një dron kishte hyrë në territorin e vendit, ndërsa Lituania u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit dhe rajoneve përreth që të kërkonin paraprakisht strehim, pasi lëshoi një alarm për një vëzhgim të mundshëm të një droni.
Aeroporti kryesor i vendit në Vilnius u mbyll dhe avionët e NATO-s u ngritën në ajër. Alarmi u anulua brenda një ore.
“Sulmet barbare të Rusisë në kufirin Ukrainë-Poloni, në Yahodyn, nuk janë thjesht vazhdim i sulmeve të saj ndaj kufijve tanë shtetërorë”, shkroi ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha në X më 13 shtator.
“Ky është terrori i Putinit që po ‘troket’ drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, tha ai.
Ai u bëri thirrje liderëve evropianë që të “hedhin gjithë peshën” e sanksioneve kundër Rusisë.