Kiev, 3 janar 2024 – Ushtria ruse njoftoi të mërkurën se rrëzoi 12 raketa ukrainase përgjatë rajonit jugor rus të Belgorodit në kufi me Ukrainën në një kohë kur forcat e Kievit po përpiqen ta vënë në pozitë të vështirë Presidentin rus Vladimir Putin dhe të hedhin poshtë argumentin e tij se jeta në Rusi po zhvillohet normalisht, pavarësisht luftës 22 muajore.
Guvernatori i Belgorodit Vyacheslav Gladkov tha se situata në kryeqytetin rajonal “vazhdon të jetë e tensionuar.” Sipas deklaratës së tij në platformën Telegram, qyteti është sulmuar me raketa dy herë radhazi gjatë mëngjesit të së mërkurës.
“Sistemi i mbrojtjes nga raketat funksionoi,” deklaroi ai dhe premtoi se do të ndante detaje të tjera me publikun pasi të inspektonte zonën gjatë ditës. E mërkura është festë kombëtare në Rusi.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Ukraina ka hedhur dy raketa “Tochka-U” dhe shtatë raketa të tjera në rajonin kufitar në orët e vona të së martës, dhe më pas sulmoi edhe me gjashtë raketa “Tochka-U” dhe gjashtë raketa “Vilkha” të mërkurën në mëngjes.
Sistemi i raketave “Tochka-U”, i ndërtuar në periudhën sovjetike, ka një rreze veprimi deri në 120 kilometra.
Pjesa kufitare e Rusisë, që kufizohet me Ukrainën, është sulmuar shpesh gjatë ditëve të fundit. Gjatë luftës, fshatrat kufitare ruse janë sulmuar nganjëherë nga Ukraina me të shtëna, raketa, predha dhe dronë të lëshuar nga pyjet e dendura ku është vështirë të diktohen.
Së fundi, ndërkohë që raketat dhe dronët po sulmojnë qytetet ukrainase, forcat ukrainase po vënë në shënjestër kryeqytetin rajonal Belgorod të rajonit kufitar, që shtrihet në brendësi të Rusisë, rreth 100 kilometra në veri të Kharkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.
Belgorodi, që ka një popullatë prej 340,000 banorësh, është qyteti më i madh rus përgjatë kufirit ukrainas. Mund të sulmohet lehtësisht me armë të thjeshta dhe raketa-hedhës.
Sulmi ndaj Belgorodit të shtunën la 25 të vdekur, përfshirë pesë fëmijë. Ky sulm ishte më vdekjeprurësi në brendësi të Rusisë që nga fillimi i agresionit të Moskës ndaj Ukrainës. Një civil është vrarë të martën gjatë sulmit të ri me raketa.
Goditja e Belgorodit dhe pasojat tek jeta e përditshme në këtë qytet është një mënyrë dramatike përmes të cilës Ukraina synon t’i tregojë Rusisë, e cila në aspektin e forcave ushtarak është më e fuqishme se Kievi, se është në gjendje të kundërpërgjigjet.
Kjo taktikë duket se po rezulton e suksesshme pasi sulmet po trazojnë publikun, udhëheqësit politikë dhe vëzhguesit ushtarakë.
Presidenti rus Putin reagoi ashpër të hënën ndaj sulmeve kundër Belgorodit. “Duan të na frikësojnë dhe të krijojnë pasiguri brenda vendit tonë,” tha ai, duke premtuar se do të shtojë sulmet hakmarrëse.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një ushtari, i cili e pyeti për viktimat civile në Belgorod, zoti Putin tha se “edhe unë ndjej hidhërim.”
Shumë blogerë ushtarak rusë kanë shprehur keqardhje për vendimin e Rusisë që të tërhiqet nga pjesa kufitare në shtator të vitit 2022 pasi filloi kundër-ofensiva ukrainase dhe kanë bërë thirrje që Rusia të marrë më shumë territor në mënyrë që të sigurojë Belgorodin dhe zonat kufitare.
Qeveria ruse është përpjekur t’u përgjigjet sulmeve të suksesshme duke i përshkruar ukrainasit si “terroristë” që po godasin vendbanimet civile ndërkohë që insiston se ushtria ruse po qëllon vetëm depot, fabrikat e prodhimit të armëve dhe objektet tjera ushtarake.
Zyrtarët ushtarakë rrallë marrin përgjegjësi për sulmet e kryera brenda Rusisë.
(Zëri i Amerikës)