Ukraina thotë se gjatë natës i ka rrëzuar 11 dronë rusë

Kiev, 25 janar 2024 – Rusia lëshoi katërmbëdhjetë dronë sulmues dhe pesë raketa në Ukrainë gjatë natës, bëri të ditur forca ajrore e Ukrainës më 25 janar. Ajo shtoi se njëmbëdhjetë prej tyre u rrëzuan.

Qyteti-port, Odesa, u sulmua dy herë nga dronët rusë gjatë natës, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper në Telegram.

Rusia shënjestroi gjithashtu Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, me pesë raketa të drejtuara kundërajrore S-300, tha mbrojtja ajrore.

Kiper tha në Telegram se në qytetin-port të Detit të Zi u plagosën gjashtë persona.

“Me gjithë punën efektive të mbrojtjes ajrore për të zmbrapsur sulmet e armikut, për fat të keq, një objekt industrial u godit në Odesa, kurse u dëmtuan ndërtesat e banimit dhe infrastruktura civile”, tha Kiper.

Lidhur me këtë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Rusia.

Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa mbi infrastrukturën civile në Ukrainë, duke vrarë e plagosur shumë persona si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit, në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka shtuar thirrjet drejt aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre brenda dhe jashtë Ukrainës.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

(REL)