Ukraina thotë se Rusia po përgatitet për një faze të re të ofenzivës

Kiev, 17 korrik 2022 – Një zyrtar i ushtrisë ukrainase tha se Rusia po përgatitet për fazën e re të ofensivës së saj në Ukrainë, pasi Moska udhëzoi trupat e saj që të rrisin operacionet ushtarake.

“Nuk janë vetëm sulmet me raketa nga ajri dhe deti”, tha Vadym Skibitskiy, zëdhënës i inteligjencës ushtarake ukrainase.

“Ne po shohim bombardime përgjatë gjithë linjës së kontaktit dhe në mbarë vijën e frontit. Ka përdorim aktiv të taktikave të aviacionit dhe sulmeve me helikopterë. Po ashtu ka aktivizim të armikut në gjithë frontin e luftës. Qartësisht, përgatitjet po bëhen për fazën e re të ofensivës”, tha ai më 16 korrik.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 17 korrik se trupat ukrainase i kanë zmbrapsur përpjekjet ruse për të përparuar drejt Sllovijanskut, një bastion kyç ukrainas në Donjeck, por edhe sulme të tjera në këtë rajon që gjendet në lindje të Ukrainës.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 17 korrik se Rusia po përforcon pozicionet e saj mbrojtëse në gjitha territoret e pushtuara në jug të Ukrainës.

“Kjo përfshin edhe lëvizjen e fuqisë njerëzore, pajisjeve dhe depove mbrojtëse midis Mariupolit, Zaporizhjas dhe Hersonit”, tha kjo ministry.

Ajo tha se edhe forcat ruse në Melitopol i kanë rritur masat e sigurisë.

Më 16 korrik, Moska njoftoi se do të rrisë operacionet e saj ushtarake në Ukrainë. Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, dha “instruksione për intensifikimin e mëtejmë të veprimeve të njësive në të gjitha zonat operacionale, një urdhër që përjashton mundësinë që regjimi i Kievit të nis sulme të mëdha me raketa dhe artileri mbi infrastrukturën civile dhe vendbanimet në Donbas dhe në rajone të tjera”.

Ukraina tha se të paktën 40 persona janë vrarë nga bombardimet ruse në zonat urbane në tre ditët e fundit.

(REL)