Ukraina zmbraps përparimin e forcave ruse

Kiev, 24 shkurt 2023 – Ukraina njoftoi të enjten se ka zmbrapsur avancimet ruse përgjatë vijës së frontit ku po zhvillohen luftime në Ukrainën lindore dhe jugore, duke i lënë luftimet në një fazë ngërçi vetëm një ditë përpara se të mbushet një vit nga fillimi i sulmit të forcave ruse.

Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, shumë larg kjo parashikimit për një pushtim masiv, që shumë analistë parashikuan se do të ndodhte një vit më parë kur tanket ruse hynë në pjesën lindore të Ukrainës.

Në luftimet më të fundit, forcat ruse kanë bërë përparim në përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin. Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Gjeneral Brigade Oleksiy Gromov tha se Moska po përpiqet të përdorë avantazhin e saj në burime njerëzore për të lodhur forcat e Kievit.

“Megjithë humbjet domethënëse, armiku nuk po heq dorë nga përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin”, tha ai.

Por, Ukraina thotë se forcat ruse nuk kanë arritur të çajnë përmes vijës mbrojtëse ukrainase në veri, pranë Kreminnas dhe në jug në Vuhledar, ku kanë pësuar humbje të mëdha në një terren të hapur.

Gjenerali Gromov tha se forcat ukrainase zmbrapsën 90 sulme ruse në verilindje dhe në lindje gjatë 24 orëve të fundit.

Ukraina thotë se i ka mbyllur disa shkolla për shkak të përvjetorit të parë të luftës të premten, për t’i paraprirë një sulmi me raketa me rreze të gjatë që Moska mund të urdhërojë për të shënuar këtë ditë. Sidoqoftë, zyrtarët ukrainas thonë se ata mendojnë se Moska nuk ka më kapacitetet për një demonstrim dramatik force, siç ishte menduar më parë.

“Asgjë e pazakontë nuk do të ndodhë. Përpjekjet e zakonshme (ruse)… Planifikohet një sulmi i vogël me raketa”, tha kreu i zbulimit të ushtrisë ukrainase Kyrylo Budanov, për faqen e lajmeve në internet Ukrainska Pravda.

“Besomëni, e kemi përjetuar këtë mbi 20 herë”, tha ai.

Megjithatë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev paralajmëroi shtetasit amerikanë që gjenden në Ukrainë për rrezikun e sulmeve me raketa në mbarë Ukrainën, përfshirë Kievin dhe rajonin përreth.

Ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë që “të ndjekin me vëmendje alarmet për sulm ajror, të gjejnë një vendstrehim të përshtatshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore”.

(Zëri i Amerikës)