Ulutash: Ulja e pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit është rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë

Prishtinë, 12 gusht 2026 – Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të martën me një delegacion të Listës Serbe, e cila e kundërshton procesin e uljes së pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në takimin që u zhvillua me kërkesë të Listës Serbe, morën pjesë kryetari Zllatan Elek, nënkryetari Igor Simiq, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jovana Radosavljeviq, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

KFOR-I njoftoi se në takim është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pranisë së KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it ka thënë se procesi i optimizimit është rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ai ka shpjeguar se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë i bazuar në kushtet në terren, ndërsa trupat e KFOR-it mund të rikthehen nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal.

KFOR-i ka thënë se edhe pas përfundimit të procesit të optimizimit do të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Më vonë gjatë ditës, edhe NATO-ja konfirmoi se ka nisur procesi i uljes graduale të trupave paqeruajtëse në Kosovë, “në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet relevante dhe hisedarët”.

Lista Serbe kishte reaguar kundër uljes së pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit. Ajo ka thënë se çdo ndryshim në praninë e forcave të sigurisë në veri duhet të bëhet me kujdes. Ajo ka thënë gjithashtu se Policia e Kosovës nuk e gëzon besimin e serbëve në veri, prandaj prania e KFOR-it në urë është një “faktor i rëndësishëm stabiliteti”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër e lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe. Ajo është ruajtur nga trupat e KFOR-it që nga përfundimi i luftës në Kosoë, në vitin 1999. Megjithatë, ajo ka qenë njëra prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Ura e Ibrit aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar shumë herë hapjen e saj edhe për qakullimin e automjeteve, pork jo kërkesë është refuzuar nga KFOR-i.

Qeveria e Kosovës i ndërtoi dy ura të tjera, në të dyja anët e Urës së Ibrit. Njëra është e destinuar vetëm ër qarkullimin e këmbësorëve, kurse tjetra është e destinuar edhe për qarkullimin e automjeteve.

(r.m.)