Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit
Kjo është fraza e parë e shkruar në gjuhën shqipe.
Nuk njoh tjetër gjuhë të nisë historinë e saj të shkruar me formulën e pagëzimit. Ngjan si e sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi. Fakti është më se i saktë, madje dokumenti ku kjo frazë është gjendur, një qarkore e shkruar në latinisht prej peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, ka datën e lëshimit. Atje është 8 nëntor 1462. Gati pesëqind vjet më pas, pikërisht në këtë ditë, 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë do të themelonin partinë e tyre, çka ngjan si një tjetër përkim. Por këtë herë në kahe tjetër. Partia Komuniste do të luftonte vdekshëm me fenë që ta shkulte e ta nxirrte jashtë universit shqiptar. Por ajo do të vërtitej, do të vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë, me shpresën e kundërt: të kthehej prapë atje.
Më 1555-ën, një murg katolik, Gjon Buzuku, botoi librin e parë në shqip, një përkthim lutjesh, duke bërë kështu për shqiptarët atë që kishte bërë pak a shumë për gjermanët tridhjetë vjet më parë se ai, i famshmi Martin Luther.
Në vitin 1592, Lekë Matranga, botoi “këngën e përshpirtshme“, vjershën e parë të letërsisë shqipe të kultivuar:
Gjithëve u thërres, kush do ndejese,
Të mirë të kreshté, burra e gra
Mbi fjalë të Tinëzot të shihni meshe
Se s’ishte njeri nesh që mkate s’ka.
Hijeshia e vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe dëshmon për një traditë më të hershme vjershërimi, pa llogaritur dhënesën gojore shumë më të vjetër. Por, gjatë ikjes së madhe të shqiptarëve, asaj ikjeje të pikëllueshme, që duhej të ketë qenë brenga më e hidhur e këtij kombi gjatë dy mijë vjetëve, shumë libra e dorëshkrime duhet të kenë humbur. Dëshpërimi i zi, nxitimi, trandja nervore, arkat e harruara, balta, hendekët e rrugës, ujët e detit, të gjitha këto gëlltitën pjesën e tyre nga arkivat e princërve e të baronëve, nga kambanat që ngarkoheshin nëpër anije, nga ikonat e kishave dhe stolitë e zonjave.
Shumë kambana ranë e u mbytën në det.
Ende dergjen atje, në terr e në ndryshk
Me gjëmimin që e ndrynë përbrenda përjetë,
E q’ashtu që së brendëshmi i gërryen e i ha.
Por kambanat e tretura mund të derdheshin sërish në trojet italiane, ku ata u mërguan. Do të tingëllonin ndryshe pa dyshim, dhe do të gjendeshin gjithfarë shpjegimesh për këtë: ajri që s’është po ai, mungesa e bjeshkës aty pranë që kthen jehonën dhe trajta e luginës ose metali që s’qe i njëllojtë, gjersa të gjendej dikush që të thoshte se kambanat ishin po ato, por qenë ata që s’ishin më ata që kishin qenë.
Pra, mund të zëvendësoheshin njëfarësoj kambanat dhe stolitë e grave dhe shumë gjëra të tjera, veç dorëshkrimet e tretura s’ribëheshin më.
Shqipërisë i ndodhi diçka që rrallë i kishte ndodhur ndonjë vendi. Kur elita e vendit, kryezotët, oficerët, njerëzit e letrave, të arkivave, diplomatët, kontët, dukët, shkronjësit e manastireve, duke mos e menduar dot jetën nën shenjën e islamit, ikën përtej detit, u duk se bashkë me arkat e rënda morën me vete edhe trurin e kombit.
Dhe, në njëfarë mënyre, ashtu ishte. Gjithë rrafshnalta shqiptare ra në mpirje e në zi. U duk se vendi, si i goditur në kokë, do të mbetej i gjymtë përgjithmonë.
Por, pikërisht në atë kohë, shtysa e vetëruajtjes rivuri në veprim një mekanizëm të vjetër: letërsinë gojore. Lart në male, atje ku kishte mbetur ende një mugullimë drite, makina e lashtë u trand përsëri. Kishte qenë përherë aty, por disi jashtë vëmendjes, sidomos qysh nga koha që shqiptarët kishin mësuar të shkruanin, madje të botonin edhe libra në gjuhën latine, si gjithë evropianët e ditur. (Njëri prej tyre, prifti shkodran, Marin Barleti, qe përkthyer ndërkaq në krejt gjuhët e Evropës.)
Pra, makina kishte qenë aty, veç tani, në ditët e apokalipsit, u duk se sa shumë i duhej këtij vendi. Por ajo, si çdo makinë e këtij lloji, kishte teknologjinë e saj trillane: nuk punonte dot veç me brumë të lashtë. Ishin ligje misterioze të trashëguara që në kohërat homerike. Sytë e rapsodëve, ndërsa qenë të veshur për gjashtëqind-shtatëqind vjetët e afërt, shikonin shkëlqyeshëm, përtej tyre: shtatëqind e pesëdhjetë, tetëqind, një mijë vjet.
Dhe kështu, ndërsa Shqipëria po jetonte një tragjedi të re, ata, të verbër ndaj saj, iu rikthyen një tragjedie të kryehershme, dyndjes sllave. Poshtë në rrafshultë, ndiheshin ndërkaq tek-tuk ca kambana të rralla, regëtinin ca zjarre, një këtu, një aty, nëpër famullitë gjysmë të shkreta.
Diku midis viteve 1566-1622, një tjetër prift katolik, Pjetër Budi, shkruante vargjet:
Ku janë ato gra e vasha
nde sqimë e nde madhështi
me petka të mëndafshta
nalcuom mbë zotërij?
Gjithë mortja i rrëzoi
Sikur i pret me shpatë…
Ato të kujtonin çuditërisht vargjet e François Villonit:
Ku janë zonjat e dikurshme
Ku është bora e vitit që shkoi?
çka dëshmonte se ciklonet poetike e kanë përshkruar rruzullimin tokësor edhe atëherë kur dukej se gjithçka ishte ndarë dhe se ndërkomunikimi midis poetëve ishte i pamundur.
Pas Pjetër Budit, në letërsinë shqipe erdhi Pjetër Bogdani, një nga mendjet më të gjera e të ndritura të botë shqiptare. Ai ishte poet, filozof e dijetar i madh. Në gjithë veprën e tij ndihet mundimi, lodhja e një titani. Ka gati dyqind vjet që Shqipëria ndodhet në natën osmane. Pra ajo është ende afër mesnatës (ora e mesnatës duhet të bjerë pas pesëdhjetë vjetësh, përderisa nata e gjithë do të jetë e gjatë pesëqind vjet). Pavarësisht se askush nuk e di se në ç’pjesë të natës ndodhet vendi, poeti e ndien. Ai e ndien se nën peshën aziatike, bota shqiptare jep çdo ditë krisje e pëson shembje.
Feja është një nga ledhet e para që trandet. Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në veri dhe kretasit në jug, bëjnë kthimet e para në fenë islamike. Janë tepër të vjetër dhe janë lodhur nga krishterimi? Ashtu siç qenë ndër të parët që të lodhur nga paganizmi kishin marrë krishterimin? Askush s’mund ta shpjegojë gjer në fund enigmën.
Pjetër Bogdanit, që është peshkop katolik, i dhemb pa dyshim kjo çarje. E bashkë me të i dhembin shumë gjëra të tjera, krejt universi shqiptar që shkon drejt teposhtjes. Ai e ndien se po irnosen ngjyrat e veshjeve, po zvarget si e damllosur muzika, madje lëvizjet e shqiptarëve po flashken edhe në trutë e tyre pikë-pikë po depërtojnë përftimet orientale: “javashllëk” dhe “kismet”.
Ai e ndien madje se edhe gjuha shqipe, sado sipërane e tigreshë të ishte në krahasim me turqishten, po lodhej prej goditjes së shurdhër të bishtit të tjetrës. Ai i ndien të gjitha këto, ndaj vendos të ndërmarrë diçka titanike: t’i vërë supet botës që rrezikon të shembet. Kjo kushtëzon përftimin si prej galaktike të veprës së tij, universalizmin e saj, vizionet planetare dhe sidomos motivet kozmogonike.
Këto të fundit e mahnitnin veçanërisht Lasgush Poradecin. Duke kujtuar njohjen e tij të parë me veprën e Bogdanit, ai shkruan: “Kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht. Kozmogonia e të Madhit Shqiptar u bën ballë, me cilësitë e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogoninë indike, ashtu sikundër këtë na e shfaqin Vedat e Shenjta”.
Titanizmi, ashtu sikurse dhe katastrofa, do të shfaqen herë pas here në letërsinë shqipe, njëlloj si ciklet kozmike. Ato do të shfaqen gjatë Rilindjes Kombëtare me Naim Frashërin. Ato do të rishfaqen në fund të shekullit XX gjatë dramës së Kosovës, që ende mban erë shkrumb.
Pjetër Bogdani është nga Kosova, por s’është kjo arsyeja kryesore, që vepra e tij është studiuar më mirë atje. Arsyeja e thellë është se pikërisht atje u përsërit tragjedia e vjetër. Ashtu si në epikën gojore shqiptare makthi turko-osman ringjalli dyndjen sllave, ashtu në letrat kosovare, makthi sllavo-serb ringjalli dyndjen osmane.
Shkreptima idesh i karfosnin harmonikisht letrat shqipe, ato që duke lindur me formulën e shenjtë të pagëzimit kanë mbyllur ciklet e ringjalljes me një tjetër formulë të shenjtë: Shqipëria u ngjall së vdekurish. Në mbyllje të kësaj fjale do të doja të kthehesha përsëri te fillimi i saj: ndalimi i shkrimit të gjuhës shqipe. Ç’do të bënin shkrimtarët e mundshëm (potencialë) shqiptarë me një gjuhë të tillë? Zgjedhjet nuk ishin të shumta. Dhe, veç kësaj, të gjitha ishin të trishtueshme.
E para gjë që të vjen ndër mend në kësi rastesh është heqja dorë prej një prej pasioneve më të vjetra të njerëzimit: krijimit letrar. Dhe, shumica e shkrimtarëve të mundshëm shqiptarë bënë pikërisht këtë: e braktisën artin e të shkruarit. Ne nuk e dimë dhe as mund ta dimë numrin e tyre. Ne dimë me saktësi vetëm një gjë: që humbja e kulturës shqiptare ishte e pandreqshme.
Një zgjedhje tjetër, më tepër iluzore se e vërtetë, ishte rikthimi i shkrimtarëve në traditën e vjetër rapsodike të letërsisë gojore. Ndërkaq, duhet thënë se, pavarësisht glorifikimit që i bëhet shpesh kësaj tradite, ajo mbetet përherë e mangët në krahasim me letërsinë e shkruar. Një zgjedhje e tretë, në thelb e pikëllueshme, ishte përdorimi i gjuhëve të tjera për t’u shprehur, kryesisht latinishtja e pas saj, gjuhët e tjera europiane.
Një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë u strehua kështu në gjuhë të tjera, duke i dhënë fjalës emigrim një tingëllim dyfish dramatik. Një letërsi e tërë u krijua kështu nga ata që u cilësuan si shkrimtarë katolikë të veriut, letërsi e fuqishme, brenda kostumit latin të së cilës ndihej drama shqiptare. Konformizmi me një sajesë letrare turko-osmane, një farë letërsie e lejuar, madje e nxitur nga pushtuesi, ishte një zgjidhje jo vetëm iluzive, por edhe me pasoja fatale në qoftë se do të zinte rrënjë në kulturën shqiptare. Veçantia e parë e kësaj sajese ishte të shkruarit e shqipes me shkronja arabe. Veç kësaj, më e rëndë se kjo ishte brumi gjuhësor me të cilin ngjizej kjo kinseletërsi. Në këtë brumë, gjuha shqipe zinte një vend minoritar. Si në një pasqyrë dukej qartë se si ajo po jepte shpirt e asfiksuar prej shtrëngimit të një tjetër gjuhe që, jo vetëm ishte gjuhë e pushtuesit, por që nuk ishte as e familjes indoeuropiane.
Në kushte dhe dilema të tilla, shkrimtarët shqiptarë u vërtitën një kohë tepër të gjatë, si tigrat në kafaz.
Një zgjidhje të fundit, nga ato që krijon vetëm dëshpërimi, do të merrte shkas ndoshta nga një model i vjetër, dhe pikërisht nga fraza e parë e gjuhës shqipe të shkruar, formula e pagëzimit, që përmenda në pjesën e parë të fjalës s’ime. Kjo formulë, e hartuar, siç thashë, më 1462-shin prej peshkopit shqiptar të Durrësit, gjendet brenda një teksti latinisht.
Shkrimtarëve shqiptarë nuk u mbetej veçse ky model: të strehonin tekste të kursyer shqip, brenda teksteve të gjuhës latine, të cilën nuk e kapte dot ligji osman. Me fjalë të tjera, të shpresonin që ca modele të gjuhës së tyre të rrezikuar, t’i strehonin për mbrojtje në trupin e ftohur të një gjuhe që nuk frymonte më.
Më lejoni ta mbyll fjalën time me këtë përfytyrim, që sa ç’duket tragjik, aq është edhe mallëngjyes në simbolikën e vet. Simbolikën e shpëtimit që gjuha e popullit tim ka kërkuar te gjuha, që vërtet nuk ishte më e gjallë, por pa të cilën nuk mund të përfytyrohet qytetërimi europian. Ju faleminderit
*(Fjalimi (Lectio magistralis) i mbajtur nga Ismail Kadare me rastin e pranimit të “Doctor honoris causa”- në Shkencat e komunikimit social, nga Universiteti i Palermos, 11 qershor 2007.)
Marrrë nga KADARE FOR NOBEL PRIZE