Nju Jork, 17 shkurt 2026 – 18-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është shënuar me pritje në përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe me manifestime të ndryshme përkujtimore të organizatave dhe shoqatave shqiptare në vende të ndryshme të botës.
Në rrjetet sociale janë publikuar video-regjistrime e fotografi edhe nga manifestime solemne e familjare të shqiptarëve në të katër anët e botës.
Në Nju Jork ka vazhduar tradita e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në ekranin gjigant në sheshin kryesor të qytetit, Times Square, të martën është shfaqur një videoregjistrim me mbishkrimin “Happy Birthday Kosovo”. Në faqen ballore të ekranit shfaqet Flamuri i Kosovës e pastaj një i ri dhe një e re, të mbështjellë me Flamurin Kombëtar Shqiptar dhe me Flamurin e Kosovës, ndërsa në faqet anësore shfaqen pamje pamje nga Kosova.
Pamje nga Times Square janë publikuar në platformën X edhe nga Admirimi.
Komuniteti shqiptar në Nju Jork ka dhënë kontribut të madh për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Shumë aktivistë dhe afaristë shqiptarë që jetojnë e veprojnë në këtë qytet i kanë dhënë zë e forcë shtesë përpjekjeve të popullit të Kosovës ndër dekada, kurse tani i mbështesin fuqishëm përpjekjet për zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
Njëkohësisht, ata mbështesin angazhimet për zhvillimin e fuqizimin e shtetit në Shqipëri si edhe për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve kudo në hapësirat e tyre gjeografike.
Javët e fundit, aktivistët shqiptarë në Nju Jork, ndër të tjera, janë fokusuar në përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
(r.m.)