Urrejtësit e letërsisë shqipe

Sonja ATANASIJEVIQ

Pak ditë më parë, redaktori i një reviste letrare njoftoi në profilin e tij në Facebook se kishte marrë shumë mesazhe me sharje dhe ofendime, për shkak se në revistën e tij, e cila merret me letërsinë e Ballkanit, e kishte publikuar një Antologji të Letërsisë Bashkëkohore Shqiptare.
Redaktori tha se përmbajtja e atyre mesazheve është për organet e ndjekjes, prandaj ai nuk do t’i publikojë, por e ka publikuar një letërkëmbim me një njeri që ai e konsideronte mik, i cili gjithashtu e kishte sulmuar për letërsinë shqipe. Kështu kërcënimeve drejtuar gazetarëve, të cilat kanë marrë përmasa epidemike në vendin tonë, ja që u bashkohen edhe sulmet ndaj redaktorëve të revistave letrare.
Dhe kur politika, e cila, fatkeqësisht, e krijon atmosferën e përgjithshme në shoqëri, hyn në fushën e artit dhe miqësisë, do të thotë se ajo është bërë jashtëzakonisht toksike.
E pyes veten se çfarë do të thoshin një tufë urrejtësish të letërsisë shqipe për takimet mes Presidentit të Serbisë dhe Presidentit të Shqipërisë.
Sipas të gjitha gjasave do të thoshin, mirë, kjo duhet bërë, por ajo nuk duhet bërë. Mund të botohet letërsia maqedonase, letërsia boshnjake… por jo ajo shqiptare. Saktë, nuk duhet, por është e nevojshme.
Sepse lidhjet kulturore janë të mirëseardhura gjithmonë. Sepse çdo komb ka shkrimtarë dhe artistë të denjë për vëmendje dhe sepse ne vetë bëhemi më të pasur nëse e njohim krijimtarinë e çdo kombi, madje edhe atij shqiptar, sepse origjina dhe përkatësia nacionale e autorit nuk ka lidhje me vlerën e veprës së tij.
Edhe sepse ne do ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin nëse e lexojmë njëri-tjetrin. Por, në vend që ta falënderojmë redaktorin e shajmë dhe e fyejmë. Pra, nuk ka pse të kemi letërsi shqipe. E saktë, nuk ka pse. Por duhet.
Dhe nëse ka diçka që do të na shpëtojë nga llumi ballkanik, kjo do të jetë ajo që bëjmë, jo ajo që duhet të bëjmë. Nuk kemi pse të ngremë zërin në mbrojtje të lumenjve, natyrës, ajrit, prokurorëve, gazetarëve, profesorëve të universitetit, psikiatërve, aktorëve…
Nuk kemi pse e ngremë zërin as për të mbrojtur gratë dhe vajzat, por duhet. Nuk kemi nevojë të kujtojmë vazhdimisht se sa prej tyre kanë vdekur nga duart e burrave në të kaluarën, por duhet.
25 prej tyre vitin e kaluar, sipas disa burimeve 27, kurse prej fillimit të vitit 2023 10 prej tyre, shifër kjo që është 350 për qind më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Meqë ra fjala, ende nuk kam dëgjuar që ndonjëri nga liderët e partive të djathta që i mbrojnë me pasion vlerat familjare dhe që nuk e kanë të huaj shfletimin e teksteve të shkollave fillore të kenë pyetur se a është e pranishme në ato tekste tema e mizogjinisë dhe femicidit dhe a trajtohet në mënyrë të përshtatshme.
Ndoshta për brezin aktual të vajzave dhe grave jemi vonuar , por ndoshta mund të bëhet diçka për çupat e sotme, në qoftë se përditë, tamam përditë, ato dhe çunat, nga mësuesit e ndonjë lënde mësimore do të dëgjojnë për të drejtat e fëmijës.
Dhe se po ato të drejta, para së gjithash, e drejta për jetë, e drejta që të mos keqtrajtohet fizikisht apo psikikisht nga askush – kanë vlerë gjatë gjithë jetës. Edhe kur je fëmijë, edhe kur rritesh, edhe kur plakesh.
Natyrisht, problemi lind kur dikush nuk arrin deri në shkollë, si ajo vajza tetëvjeçare nga lagjja beogradase e Mirijevës, të cilën i ati e kishte mbajtur në vaskë me vite, e cila kur u gjet dukej sa një fëmijë tre apo katër vjeç.
Por, një problem edhe më i madh do të lindë në qoftë se për këtë rast nuk shpallet fajtor askush tjetër, përveç babait të saj.
Dhe në qoftë se e harrojmë shpejt atë vajzë.
Shkrimtari portugez José Saramago, Në shënimet e tij të vitit 2009, e ka trajtuar temën e dhunës ndaj grave. Ai i përshëndeste ngjarjet në Sevile dhe në Extremadura, për të cilat thoshte se janë “shembuj për reputacion”.
Në të vërtetë, demonstrata kundër dhunës ndaj grave u organizuan për herë të parë nga burrat.
Më tutje shkrimtari thoshte: “Zakonisht thuhet se është problem i grave, por kjo nuk është e vërtetë. Ky është problem i meshkujve, problem i egoizmit mashkullor, posesivitetit të sëmurë, qyqarisë që ju jep të drejtë ta përdorin forcën kundër një qenieje më të dobët fizikisht…”
Madje, ai imagjinon se si duhet të duken protestat e tilla të burrave.
“Le të themi, njëqind mijë burra, vetëm burra, ndërsa gratë qëndrojnë mënjanë dhe u hedhin lule. Kjo mund të jetë një shenjë se shoqëria nga brendia e saj dhe pa hamendje duhet të ballafaqohet dhe të luftojë me këtë turp të padurueshëm. Dhe ky lloj dhune, me apo pa përfundim fatal, të bëhet një nga shqetësimet e para të të gjithë qytetarëve”.
Po mirë, ç’lidhje paska kjo me ata që e urrejnë letërsinë shqipe? Po, ja që paska.
Në qoftë se dikush është i përgatitur mendërisht për të sulmuar redaktorin e një reviste letrare për shkak të letërsisë, zor se në atë “arsenal” nuk ka edhe ndonjë mjet për ndonjë sulm të një lloji tjetër.
Eshtë e pabesueshme që në atë imazhin utopik të Saramagh-ut të kolonës së burrave që protestojnë kundër dhunës ndaj grave të mbuluar me lule të imagjinohen anëtarët e fisit të Facebook-ut që janë alarmuar nga letërsia shqipe. Dhe jo vetëm që alarmohen, por edhe shajnë, ofendojnë dhe ndezin zjarr. Përse të tillët nuk gjenden në atë kolonë?
Sepse për të sulmuar redaktorin me siguri motivohen nga urrejtja, kurse në themel të çfarëdo urrejtjeje zakonisht është e keqja.
Përtej kësaj, e keqja nuk mund të klasifikohet në disa dosje dhe të themi, ky është i dhunshëm ndaj grave, ai është ndaj fëmijëve, tjetri ndaj gazetarëve, kurse ai tjetri ndaj redaktorëve të revistave letrare.
Sepse e keqja është fluide në thelbin e saj. Fatkeqësisht në gjithë botën.


(Autorja është shkrimtare dhe gazetare e pavarur nga Beogradi. Ky shkrim është publikuar nga gazeta beogradase “Danas“. Përktheu: Ramadan Muçolli).