Ursula von der Leyen: Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e bisedimeve

Tiranë, 15 tetor 2023 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi të dielën në Tiranë se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në dialog për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Zyrtarja e lartë evropiane ka mbërritur në Shqipëri një ditë para nisjes së samitit të Procesit të Berlinit, që për herë të parë zhvillohet në një nga vendet e rajonit.

E pyetur se çfarë ndodh me Marrëveshjen e Ohrit, të arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të 24 shtator në Banjskë të Kosovës, Ursula von der Leyen tha se ajo është rruga ku duhet ecur drejt Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja e Ohrit është baza, themeli, për pajtim përmes dialogut të BE-së. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është e vetmja mënyrë, përmes angazhimit, përmes dialogut, sepse kjo është rruga e duhur për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe homologia e tij serbe Ana Bërnabiq, do të ulen të hënën në një tryezë për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se situata e krijuar mes dy vendeve do të diskutohet gjatë drekës së punës së liderëve pjesëmarrës, por shtoi se askush nuk duhet të presë zgjidhje nga ky samit.

“Procesi i Berlinit lidhet me nxitjen e vazhdueshme të të gjitha vendeve të rajonit drejt katër lirive të BE-së, lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Tipikisht ky proces nuk është vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Por, në programin e Samitit, dreka e punës e liderëve, do t’iu kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për diskutim të hapur mes të pranishmëve, është e programuar, por nuk është një samit, i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme, që janë probleme që trajtohen dhe zgjidhen nën ombrellën e BE-së”, tha kryeministri Edi Rama.

(Jetmira Delia – Kaci, REL)