Ursula von der Leyen: “Po punohet në bindjen e skeptikëve për liberalizimin e vizave për Kosovën”

Prishtinë, 27 tetor 2022 – Përveç çështjes së energjisë që, ishte arsyeja kryesore për vizitën e Von der Leyen në Kosovë, zyrtarja e lartë evropiane foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ju dëgjoj qartë në çështjen e liberalizimit të vizave. E dini se keni një aleat dhe mua personalisht. Kosova e meriton liberalizimin e vizave. I keni përmbushur të gjitha kushtet”, tha Von der Leyen.

Rikujtojmë se Komisioni Evropian, që udhëhiqet nga Von der Leyen, tashmë ka rekomanduar dy herë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, në diskutimet brenda Këshillit të BE-së, ka shtete, përfshirë Francën, që kanë vënë në diskutim kushte të reja sa i përket liberalizimit.

“Detyra jonë është të bindim të gjithë vendet e Këshillit Evropian”, ka thënë Von der Leyen.

Më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të Bashkimit Evropian, zyrtarët e Francës kushtëzuan procesin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit të sigurisë në Evropë, ETIAS.

Sistemi ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.

Procedura ligjore për të miratuar këtë sistem ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Bosnjë e Hercegovinë më 28 tetor dhe më pas në Serbi.

Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi, të shtunën, më 29 tetor.

(REL)