Prishtinë, 1 tetor 2026 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi nga autoritetet e Kosovës që ta garantojnë pavarësinë e Gjykatës Speciale në Hagë dhe respektojnë aktgjykimin e kësaj gjykate ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Vendimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë të apelojë”, tha Von der Leyen, të enjten në Prishtinë, , në konferencën e përbashkët për medie me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ursula von der Leyen tha se e kupton reagimin e qytetarëve të Kosovës ndaj aktgjykimit dënues të Speciales dhe e vlerësoi mënyrën e reagimit të liderëve politikë të Kosovës. Ajo theksoi se aktgjykimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe jo me luftën për çlirimin e Kosovës.
“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme. E çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Por, një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, theksoi Presidentja e Komisionit Evropian.
Von der Leyen theksoi se viti 1999 është skalitur fort në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive”, u shpreh ajo, duke shtuar se Bashkimi Evropian ka qenë pranë Kosovës që prej asaj periudhe.
Ndërkaq, Kurti tha se aktgjykimi i Speciales përmban gabime faktike, juridike e historike të cilat, sipas tij, pritet të korrigjohen në Dhomën e Apelit.
“Kemi shqetësime për konkludimet e tjera dhe dënimet e rënda. Besojmë se përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike dhe presim të korrigjohen në Apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, tha Kurti.
Ursula Von der Leyen u takua në Prishtinë edhe me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila është edhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, u prit me protesta të një grupi qytetarësgg në aeroportin e Prishtinës. Protestuesit mbanin pankarta kundër aktgjikimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
(r.m.)