Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Hyri në fuqi më 26 shtator, 2022, shtyrja e afatit tw vlefshmërisë së green card-ës.Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) ka shtyrë automatikisht edhe 24 muaj afatin e vlefshmërisë së green card-ave për të gjithë ata rezidentë të përhershëm të ligjshëm që paraqesin aplikimin përkatës I-90, Application to Replace Permanent Resident Card. Pra, rezidentët e përhershëm të ligjshëm që kanë paraqitur siç duhet formularin I-90 për të rinovuar një green card që ka skaduar ose po skadon mund të përfitojnë nga kjo shtyrje afati. Më parë dokumenti i njoftimit të marrjes së I-90-ës i siguronte aplikuesit një shtesë prej 12 muajsh të vlefshmërisë së green card-ës. Tashmë USCIS-i e ka shtyrë afatin e vlefshmërisë në 24 muaj dhe ky ndryshim është reflektuar dhe në përmbajtjen e dokumentit të njoftimit të marrjes së I-90-ës dhe shtyrja vlen për ata persona që sapo kanë paraqitur formularin I-90. Më 26 shtator, USCIS-i filloi të printojë njoftimet e sipërpërmendura me ndreqjet përkatëse për ata individë formularët I-90 të të cilëve janë në pritje për t’u marrë në shqyrtim. Këto njoftime së bashku me green card-ën që ka skaduar shërbejnë si dëshmi e vazhdimësisë së statusit të rezidentit të përhershëm të ligjshëm. Kjo shtyrje afati pritet t’u vijë në ndihmë aplikantëve që janë prekur nga kohë të gjata procesimi, pasi tani, ndërkohë që presin rinovimin e green card-ës, do të mund të kenë një dokument që dëshmon vazhdimësinë e statusit të tyre të rezidentit të përhershëm të ligjshëm. Nëse nuk e keni më green card-ën, por jeni në pritje që të merrni green card-ën e re si dhe ju duhet statusi i rezidentit të përhershëm të ligjshëm, mund të kërkoni një takim tek USCIS Field Office. Për këtë qëllim lypset të kontaktoni qendrën përkatëse USCIS Contact Center dhe USCIS-i, pasi të paraqisni formularin I-90, mund t’ju vërë një vulë ADIT (Alien Documentation, Identification, and Telecommunications) e cila shërben si provë e vazhdimësisë së statusit.
USCIS-i ka nxjerrë versionet e rishikuara të formularëve I-589 dhe I-765
USCIS ka nxjerrë versionet e rishikuara të formularëve I-589, Application for Asylum and for Withholding of Removal, dhe I-765, Application for Employment Authorization, të cilët mbajnë datën 26/7/22.
Duke filluar nga data 7 nëntor, 2022, USCIS-i do të pranojë vetëm ato versione të formularëve I-589 dhe I-765 që mbajnë datën 26/7/2022. Deri atëherë, mund të paraqisni qoftë versionin e ri qoftë të vjetrin të formularëve I-589 (që përmban datën 25/08/20) dhe I-765 (që përmban datën 31/05/22 dhe 25/08/20). Data e versionit të rishikuar të një formulari gjendet në fund të faqes së formularit si dhe në fund të faqeve të udhëzimeve shoqëruese. Kini kujdes, pasi versionet e mëparshme përmbajnë disa udhëzime të cilat administrata e presidentit Biden i ka nxjerrë të pavlefshme.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]