USCIS shpall politikat për një mbrojtje më të mirë të fëmijëve emigrantë të braktisur, të abuzuar apo të lënë pas dore

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) deklaroi se po shqyrton mundësinë e shtyrjes së deportimit si dhe mundësinë e dhënies së lejes së punës personave jo-nënshtetas të cilëve u është aprovuar kërkesa e posaçme si emigrantë të mitur, formulari I-360, Petition for Special Immigrant Juvenile (SIJ) dhe që për shkak se nuk kanë ende në dispozicion një numër vize, nuk mund të aplikojnë për t’u bërë banorë të ligjshëm të përhershëm (LPR).   

Akti i shtyrjes së deportimit është një akt që nënkupton diskrecion prokurorial në shtyrjen e proçedurave të deportimit nga Shtetet e Bashkuara të një jo-nënshtetasi për një periudhë të caktuar. Akti i shtyrjes së deportimit nuk të jep status të ligjshëm. Klasifikimi si emigrant i mitur i posaçëm (SIJ) u bëhet fëmijëve që nuk kanë nënshtetësi amerikane dhe që janë në proçes gjyqësor në shtetin përkatës për shkak se janë abuzuar, lënë pas dore, abandonuar ose për shkaqe të tjera të ngjashme siç parashikojnë ligjet e shtetit në fjalë. USCIS-i mund t’i klasifikojë si SIJ jo-nënshtetasit e mitur të cilët paraqesin dëshmi të një vendimi gjyqësor që i mbron ata nga abuzimi, lënia pas dore apo braktisja nga prindërit apo nga diçka tjetër e ngjashme, siç parashikon ligji i shtetit në fjalë, sikurse dhe prova konkrete të shkaqeve pse gjykata për të miturit ka marrë këtë vendim. Nuk mund t’u kërkohet jo-nënshtetasve të mitur që të kontaktojnë abuzuesit e tyre të pandehur ndërkohë që USCIS-i është duke marrë vendim lidhur me çështjen e tyre si SIJ. Peticioneri i mitur (SIJ) mund të ketë të pranishëm avokatin, përfaqësuesin e akredituar dhe/ose një të rritur të besuar gjatë intervistës, nëse caktohet një e tillë, por vetëm avokatëve apo përfaqësuesve të akredituar u lejohet të bëjnë deklarata gjatë intervistave të tilla. Fatkeqësisht, klasifikimi si SIJ nuk të jep status të ligjshëm dhe as nuk sjell kualifikim për të aplikuar për leje për t’u punësuar.

Akti për shtyrjen e proçedurave të deportimit si dhe dhënia e lejes për të punuar do të ndihmojë në mbrojtjen e jo-nënshtetasve që kualifikohen si SIJ, por nuk mund të aplikojnë për ndreqje statusi për shkak se janë në pritje që t’u vihet në dispozicion një numër vize. Ky proces ofron një mbrojtje të mëtejshme për arsye humanitare, nga abuzimi, lënia pas dore dhe braktisja, të jo-nënshtetasve të mitur për të cilët gjykata për të miturit ka vendosur që është më mirë të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara. USCIS-i do t’i shqyrtojë një nga një rastet për shtyrje të proçedurave të deportimit dhe do të aprovojë ato raste kur ushtrimi i diskrecionit në favor të kualifikimit si SIJ, është i justifikueshëm. USCIS-i do të vendosë automatikisht shtyrjen e proçedurave të deportimit për ata persona që janë kualifikuar si SIJ, por që për shkak se nuk kanë në dispozicion një numër vize, nuk mund të aplikojnë për statusin e banorit të ligjshëm të përhershëm (LPR). 

Politikat e reja vijnë me nevojën për përditësim të rregullave në mënyrë që të qartësohen kriteret përzgjedhëse SIJ si p.sh. përditësimi i dispozitës për ata që e kanë kaluar moshën e cila synon mbrojtjen e peticionerëve që mbushin moshën 21 vjeç ndërkohë që janë në pritje të një vendimi për peticionin e tyre. USCIS-i gjithashtu po përditëson rregulloren që ka të bëjë me kërkesat që lidhen me dokumentacionin provë të nevojshëm, me synim përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të programit në fjalë si dhe për të siguruar që personat që përmbushin kriteret për t’u cilësuar viktima të abuzimit, lënies pas dore apo braktisjes nga prindërit të klasifikohen si SIJ dhe të futen në rrugën që do t’i çojë drejt marrjes së statusit LPR

Nuk kërkohet dhe as nuk do të pranohet nga USCIS-i një kërkesë më vete për shtyrjen e proçedurave të deportimit. Ata emigrantë të mitur SIJ që kanë ndërruar vendbanim që nga koha kur u është aprovuar formulari I-360, duhet t’i japin USCIS-it adresën e tyre të re sa më shpejt që të jetë e mundur për të siguruar kështu marrjen e korrespondencës që ka të bëjë me shtyrjen e proçedurave të deportimit. Nëse USCIS-i e aprovon shtyrjen e proçedurave të deportimit, kjo shtyrje vlen për një periudhë katër vjeçare. Një emigrant i mitur SIJ të cilit i është aprovuar kërkesa për shtyrje të proçedurave të deportimit, do të mund të aplikojë për leje për të punuar gjatë të gjithë kohës që zgjat shtyrja në fjalë. Kërkesa bëhet duke paraqitur formularin përkatës I-765,  Application for Employment Authorization, nën kategorinë (c)(14).

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]