Prishtinë, 7 shtator 2025 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se pjesëtarë të kontigjentit gjerman nga Komanda Rajonale e Lindjes kanë zhvilluar një trajnim të posaçëm me qëllim forcimin e kapaciteteve për zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve, gjë që shihet si komponentë gjithnjë e më e domosdoshme për sigurinë.
Në njoftim bëhet e ditur se ushtrimi është fokusuar sidomos në përdorimin e sistemit WINGMAN për identifikimin e dronëve dhe gjurmimin e operatorëve të tyre, si edhe në përdorimin e pajisjes HP-47 për interceptimin dhe çaktivizimin e mjeteve ajrore pa pilot (UAV).
“Stërvitjet e tilla i rrisin aftësitë teknike individuale të ushtarëve, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit, punës në ekip dhe përshtatshmërinë në përballjen me kërcënimet e reja ajrore në zhvillim”, thuhet në njoftim.
“Kjo ekspertizë unike e zgjeron fushëveprimin e misionit të KFOR-it, duke forcuar kapacitetin e tij për t’u përballur me sfidat gjithnjë e më të mëdha të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
(r.m.)