Ushtria e Izraelit publikon orar të ri për evakuimin e banorëve të Gazës në jug

Tel Aviv, 15 tetor 2023 – Ushtria izraelite ka publikuar orar të ri për civilët në Gaza, të cilët i ka urdhëruar të largohen drejt jugut.

Banorët do të mund të largohen prej orës 10:00 të mëngjesit deri në orën 13:00 nëpër rrugët e përcaktuara më parë, ka thënë një zëdhënës i ushtrisë izraelite në X – platformë e njohur më parë si Tëitter.

Ushtria ka thënë se nuk do t’i sulmojë ato rrugë gjatë orarit për evakuim.

“Njerëzit që kujdesen për sigurinë e familjeve të tyre duhet të nisen drejt jugut”, ka thënë ushtria izraelite.

Ka pasur raportime se Hamasi është duke e parandaluar evakuimin e civilëve drejt jugut të Gazës.

Izraeli e ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se është duke abuzuar me popullin e vet dhe po e përdor si mbrojtje. Ushtria izraelite ka thënë se Hamasi po “kujdeset për pjesëtarët e vet dhe për familjet e tyre”.

Sipas ushtrisë izraelite, mijëra palestinezë tashmë kanë shkuar në jug të Gazës, ndonëse thirrja u është drejtuar 1 milion civilëve.

Kombet e Bashkuara i kanë kritikuar urdhrin për evakuim dhe kanë paralajmëruar rrezikun nga një “katastrofë humanitare”.

Ushtria izraelite ka bombarduar shënjestra të Hamasit në Gaza, pas sulmeve të pashembullta të grupit militant ndaj civileve izraelitë fundjavën e kaluar. Izraeli ka grumbulluar forca të mëëdha ushtarake në kufi me Rripin e Gazës gjë që shihet si përgatiitje për një ofensivë tokësore për ta luftuar Hamasin.

(r.m.)