Uzinat bërthamore Natanz dhe ai në Isfahan në shënjestër të sulmeve

Vjenë / Tel Aviv / Teheran, 13 qershor 2025 – Objekti për pasurimin e uraniumit në Natanz u godit “disa herë”, raportoi televizioni shtetëror, duke treguar pamje me tym të dendur që ngrihej nga vendi i ngjarjes.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) konfirmoi se Natanz ishte cak i sulmeve, por tha se nuk ka vërejtur nivele të rritura të rrezatimit në vend. Dy objekte të tjera të lidhura me programin bërthamor iranian – Isfahani dhe Fordov – nuk janë prekur, tha agjencia pas valës së parë të sulmeve.

Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”.

Por, pas valës së dytë të sulmeve, Izraeli tha se ka goditur ndërtesën bërthamore në Isfahan.

“Ne tani mund të konfirmojmë se ushtria izraelite ka kryer sulm ndaj centralit bërthamor në Isfahan. Ky është një operacion shtesë, përveç se në Natanz”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli goditi dhjetëra objekte në të gjithë Iranin, duke e rritur mundësinë e një lufte të përgjithshme mes dy vendeve.

Në një deklaratë pas sulmeve, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) pohuan se Irani është “afër arritjes në pikën e pakthyeshme” në përpjekjet e tij për ta zhvilluar një armë bërthamore.

“Regjimi po prodhon mijëra kilogramë uranium të pasuruar, krahas objekteve të shpërndara dhe të fortifikuara për pasurim, në vende nëntokësore të mbrojtura,” thuhej në deklaratë.

Zona të banuara në Teheran dhe në disa qytete të tjera u goditën gjithashtu, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, e cila raportoi se sulmet shkaktuan vdekjen e disa njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kompleks banimi në Teheran.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*