Teheran, 28 shtator 2022 – Faezeh Hashemi, vajza e e ish-presidentit të Iranit, Akbar Hashemi Rafsanjani, u arrestua në kryeqytetin Iranian, Teheran, vetëm disa ditë pasi shprehu mbështetje për protestat në Iran,
Agjencia e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, raportoi të martën se Hashemi u arrestua nga forcat e sigurisë në Teheranin lindor, për “nxitje të trazirave”.
Para arrestimit, Hashemi ka thënë se autoritetet u referohen si “trazira” dhe si “kryengritje” protestave që e kanë tronditur Republikën Islamike në 12 ditët e fundit, me qëllim që t’i shtypin.
“Ajo që [autoritetet] duan të përcjellin është se këto nuk janë protesta, se janë trazira. Por, në fakt, ato janë protesta”, ka thënë Hashemi, në një audio regjistrim të siguruar nga Shërbimi Iranian i Radios Evropa e Lirë.
Faezeh Hashemi ka thënë se shumica e protestuesve janë të rinj që kërkojnë të drejta në lidhje me “çështjen e hixhabit dhe pikëpamjen e talibanëve për çështjet e grave dhe ato sociale”.
“Kjo tregon se të rinjtë tanë duan një të ardhme, duan të kenë një jetë. Ata nuk po përpiqen ta rrëzojnë regjimin, megjithëse mund të shkojë në këtë mënyrë”, ka thënë ajo.
Protestat në Iran kanë nisur pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini.
Ajo ka vdekur në stacionin e policisë, ku po mbahej me arsyetimin se nuk e kishte vendosur si duhet mbulesën në kokë.
Zyrtarët iranianë thanë se Amini ka vdekur nga sulmi në zemër, mirëpo familjarët e saj dhe disa grupe për të drejta të njeriut i hedhin poshtë këto pretendime, pasi e ndjera ka pasur shëndet të mirë. Sipas tyre, gruaja e ndjerë është rrahur gjatë kohës që ka qenë në mbajtje.
Në disa postime në rrjetet sociale, familjarët e personave të vrarë nëpër protesta thonë se në certifikatat e vdekjes të lëshuara nga autoritetet thuhet se ata gjoja kanë vuajtur nga sëmundje të ndryshme.
Disa të tjerë thonë se autoritetet u kanë bërë presion që familjarët e tyre t’i varrosin gjatë natës, për të fshehur atë që ka ndodhur.
Në Gjermani, Greqi, Itali, Spanjë, Liban, Turqi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara pati tubime qytetarësh që u solidarizuan me protestuesit iranianë.
(r.m.)