Vangjush Dako lirohet nga burgu, dërgohet në arrest shtëpiak

Tiranë, 27 shkurt 2024 – Gjykata e Posaçme pranoi të martën, më 27 shkurt, kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako për lirimin e tij nga qelia, pas arrestimit tetë muaj më parë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe për shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Pas vendimarrjes të gjyqtares Flojera Davidhi, Gjykata e Posaçme shpërndau një njoftim për mediat në të cilin sqarohej se Dako i kërkoi gjykatës që të konstatonte mbarimin e afateve të paraburgimit si pasojë e masës së sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar më 6 qershor 2023.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale dhe në një vendim njësues të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Davidhi ka vlerësuar se Dakos i kanë përfunduar afatet e paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.

Afatet e paraburgimit u dogjën pasi Prokuroria e Posaçme, SPAK, nuk arriti të përfundojë kryerjen e një akti ekspertimi dhe veprimet hetimore të kërkuara nga gjykata gjatë seancës paraprake të mbajtur më 2 shkurt. SPAK kërkoi kalimin e çështjes ndaj Dakos dhe 10 të akuzuarve të tjerë për gjykim, por Gjykata vlerësoi se hetimet ishin të paplota.

Kodi i Procedurës Penale përcakton në nenin 263, gërma (b) se paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga fillimi i zbatimit të tij kanë kaluar gjashtë muaj në rastet kur i pandehuri procedohet për krime që dënohen maksimumi deri në dhjetë vjet burgim. Për rrjedhojë, gjykata e ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Dakos.

Ndërkohë, gjyqtarja Davidhi ka vlerësuar të drejtë edhe kërkesën e SPAK për caktimin e një mase tjetër sigurimi, atë të “arrestit shtëpiak” sipas përcaktimeve të nenit 267 të Kodit të Procedurës Penale.

Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut, dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.

Megjithatë, Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Vepra e dytë penale për të cilën prokuroria kërkon gjykimin e Dakos ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

(Reporter.al)