Varhelyi: Negociatat me Tiranën dhe Shkupin nuk mund të vonohen

Tiranë, 28 prill 2022 – Komisioneri europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha sot në Tiranë se vendimi për nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të merret brenda qershorit, edhe sepse, siç theksoi ai siguria e BE-së po kompromentohet dhe besueshmëria e saj po vihet në pikëpyetje. Këto komente ai i bëri gjatë një konference shtypi me kryeministrin Edi Rama. Qeveria shqiptare ka bërë të ditur se nëse edhe në qershor nuk do të ketë një vendim, ajo do të kërkojë që Tirana të ndahet nga Shkupi në këtë proces.

Dy ditë më parë në Sofje, komisioneri europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi nuk ngurroi të shprehte zhgënjimin për ngërçin e krijuar nga Bullgaria në raport me Maqedoninë e Veriut, duke bllokuar këtë vend por dhe Shqipërinë, për të hedhur një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit europian, me organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila do shënonte nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim.

I angazhuar në vetë të parë për këtë çështje, edhe sot në Tiranë ai theksoi se “nuk mundet që në Europë të ketë një luftë dhe Europa të mos përdorë të gjithë mundësitë e saj që të stabilizojë Ballkanin Perëndimor. Prandaj, nuk mund dhe nuk i jap aspak kohë atyre që janë të përfshirë në këtë proces që të mos bëjnë atë që duhet bërë. Ne e dimë të gjithë se çfarë duhet të bëjmë. Ne duhet që këtë vendim ta marrim në tryezë e të ecim përpara me punën sepse në rast se nuk marrim ato vendime që mund të marrim, atëherë do të thotë që ne po heqim dorë nga ai mandat që ne kemi”, u shpreh Komisioneri duke shtuar se për këtë arsye po angazhohet intensivisht, duke vënë në dukje, në këtë situatë, dhe siguria e BE po komprometohet e besueshmëria e saj po vihet në pikëpyetje.

Në këtë fazë, Shqipëria nuk ka çfarë të bëjë, veçse të shpresojë që deri në qershor, kur është mbledhja e radhës e Këshillit europian, situata të ketë ndryshuar dhe Bullgaria të ketë hequr dorë nga vetoja e saj. Pas këtij momenti, qeveria shqiptare ka vendosur të kërkojë që vendimi për të, të mos jetë më i lidhur me fatin e Shkupit. “Por kjo mbetet për t’u aktivizuar si qasje mbas kësaj mbledhje të Këshillit Europian e deri në këtë takim të Këshillit Europian, ne jemi absolutisht në pozicionin që të dyja vendet duhet të hapin negociatat”, u shpreh kryeministri.

Përtej ngecjes në procesin e integrimit, zoti Rama vlerësoi mbështetjen ekonomike dhe financiare të BE-së për rajonin, si dhe mundësinë e përfshirjes së projektit të Korridorit 8 në rrjetin europian, që do të përkthehej në fonde konkrete.

Nga ana e tij komisioneri Varhelyi vizitoi sot disa objekte të rindërtuara me fondet e BE, ndërsa në mëngjes pati një takim me organet e Vettingut ku ritheksoi mbështetjen ndaj reformës në Drejtësi, duke kërkuar që “sulmet ndaj këtyre organeve, dhe anëtarëve të tyre të ndalen”.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)