Varhelyi: Propozimi i Ekipit Menaxhues, pikënisje në diskutimet për Asociacionin

Strasburg, 9 maj 2023 – Komisionari Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, tha se krijimi i Asociacionit është obligim që del nga marrëveshjet e arrituara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ato duhet të zbatohen.

“Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe”, tha ai, në debatin për Kosovën që u zhvillua të martën në Parlamentin Evropian.

Varhelyi tha se draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues duhet të jetë pikënisje në diskutimet e mëtejme për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Siç ka nënvizuar Përfaqësuesi i posaçëm për dialog (Mirosllav Lajçak) draft-statuti i prezantuar në takimin e fundit nga Ekipi Menaxhues është pikënisje për diskutimet e mëtejme për themelimin e Asociacionit“, tha Varhelyi.

Draft-statuti për Asociacionin është prezantuar më 2 maj në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë të dialogut mes Kosovës e Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky draft, i cili është hartuar nga Ekipi Menaxhues katër anëtarësh, të gjithë pjesëtarë të komunitetit serb, është vlerësuar kundërkushtetues, rrjedhimisht i papranueshëm, nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ekipi Menaxhues është shkarkuar një ditë më vonë, me arsyetimin se mandati i tij ka përfunduar me dorëzimin e draftit të hartuar prej tij.

(r.m.)