Varhelyi: Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së

Beograd, 14 maj 2024 – Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha të hënën në Beograd se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, ndërsa shfaqi besimin se vendi ballkanik do të jetë pjesë e bllokut deri në fund të mandatit të Komisionit të ri Evropian.

“Komisioni i ardhshëm do të duhet të angazhojë tërë punën dhe përpjekjet e tij për të anëtarësuar vendet e reja në Bashkimin Evropian,” tha komisionari Varhelyi pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Zoti Varhelyi tha se Serbia duhet të punojë në reformat e saj demokratike, sundimin e ligjit dhe “të përafrohet më tej me politikën e jashtme të BE-së”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç prej vitesh pretendon se ndjek një politikë “neutrale”, duke balancuar lidhjet mes Moskës, Pekinit, Brukselit dhe Uashingtonit.

Nën sundimin e tij autoritar vendi ballkanik duket se po i afrohet Rusisë dhe veçanërisht Kinës, ndonëse ka thënë vazhdimisht se Serbia është e vendosur në qëllimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Shpresoj që nëse ajo për të cilën me të drejtë na qortoi Oliver Varhelyi, që është mospërputhja jonë me politikën e tyre të jashtme, nuk bëhet pengesë, jam i sigurt se do të hapim edhe shumë kapituj të rinj (të negociatave për anëtarësim) dhe deri në fund të vitit do t’i afrohemi hapjes së pothuajse të gjithë kapitujve”, tha ai.

Muajin e kaluar ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan ndryshimet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Zbatimi i marrëveshjes është kusht edhe për përparimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane, ndonëse ajo është e fundit në rajon në këtë proces.

Gjatë takimit me presidentin serb, komisioneri evropian diskutoi edhe për Planin e BE-së për Rritjen Ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, një çështje për të cilën me 16 maj, pritet të mblidhen në Kotor të Malit të Zi, udhëheqësit e bllokut me ata të rajonit. Në takim pritet të marrë pjesë edhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien.

Por, presidenti serb tha se nuk do të marrë pjesë në takimin e Kotorit meqë do të udhëtojë për në Nju Jork për t’iu kundërvënë miratimit të një rezolute për gjenocidin në Srebrenicë.

“Sonte udhëtoj në Nju Jork, sepse dikush duhet t’u përgjigjet atyre që do të akuzojnë serbët se janë njerëz që kryejnë gjenocid”, tha ai.

Rezoluta për Srebrenicën, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të gjenocidit të kryer ndaj boshnjakëve në atë qytet në vitin 1995, pritet të jetë temë debati dhe votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Nuk pajtohem aspak me stigmatizimin e popullit serb kur është fjala për rezolutën për Srebrenicën. Faji kolektiv dhe ndëshkimi kolektiv nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e vlerave tona. Mirëpo, fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë”, tha zoti Varhelyi.

Teksti i propozuar i rezolutës, në të cilin Zëri i Amerikës kishte qasje, nuk përmend asnjë lloj përgjegjësie të asnjë kombi apo shteti, por, ndër të tjera, bën thirrje për dënimin pa rezerva të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë. Dokumenti dënon gjithashtu veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

(Zëri i Amerikës)