Nga Qemal Zylo
Në Shkollën Shqipe “Alba Life” në Bronx në një nga degët e saj të shumta në gjithë Nju Jorkun erdhën dhe u takuan me plot dashuri një ekip i Vatrës i kryesuar nga Dr. Pashko Camaj sekretar i Vatrës, Sokol Paja Editor i Diellit, anëtarët e kryesisë z. Bashkim Musabelliu dhe z. Ilir Cubi, anëtari i Këshillit të Vatrës gjeneral Asllan Bushati.
Kishte kohë që Editori I Diellit z. Paja na kishte lajmëruar për të dhuruar libra pranë nxënësve të shkollave Shqipe në New York. Mësuesit dhe nxënësit i mirëpritën me duartrokitje ardhjen e delegacionit të Vatrës, pasi Vatra e themeluar nga Noli dhe Konica është krenari kombëtare dhe ne ju mësojmë fëmijëve për t’i çmuar dhe vlerësuar ndër breza kontributet kombëtare. Nxënësit e Shkollave Shqipe “Alba Life” njihen mirë me Vatrën jo vetëm që e vizituan, më 19 Nëntor, 2022, por edhe reportazhet e gazetares Kozeta Zylo kanë qenë të mirëpritura gjithmonë pranë gazetës famëmadhe të Diellit. Mësueset ua lexuan dy vjet më parë shkrimin e gazetarit Paja i cili shkruajti artikullin me temë: “110 vjetori i Pavarësisë, 110 nxënës, mësues e prindër të Shkollës Shqipe Alba Life, festë në Vatër.”
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëve të Alfabetit Shqip mikpriti 110 nxënës, mësues dhe prindër të Shkollës shqipe Alba Life. Një vizitë shumë emocionuese e fëmijëve shqiptarë, trashëgimtarëve të vazhdimësisë së rracës sonë të bukur shqiptare, të historisë sonë të lavdishme, të kulturës sonë të veçantë, gjuhës dhe identitetit tonë këmbëtar shqiptar.
Si themelues dhe drejtues i përshëndeta dhe i falënderova për mirëseardhjen e tyre pranë Shkollës Shqipe e cila zhvillon mësimin në mjediset e Shkollave publike amerikane në Christofer Columbus, Bronx. Në emër të stafit shpreha mirënjohjen time, të prindërve dhe të gjithë nxënësve për dhurimin e librave, pasi këto veprime dhe bashkërendime e nderojnë Vatrën me drejtues Dr. Elmi Berisha i cili vazhdimisht ka shprehur mirënjohjen e pakufishme për Misionin Kombëtar nga Alba Life. Dr. Pashko Camaj pedagog në Universitet e njeh mirë mësimdhënien, ai falënderoi nxënësit që vinë pranë shkollave Shqipe dhe mësojnë gjuhën shqipe me plot dashuri dhe përkushtim. Editori Paja shprehu me plot kulturë dhe respekt aktivitetet kulturore dhe programet mësimdhënëse që organizon Alba Life. Kolegu im i nderuar Gjeneral Asllan Bushati u shpreh me plot besim dhe krenari për këtë punë kolosale të mësuesëve, stafit, nxënësve për të mësuar Shqip, pasi ajo është identiteti ynë. Avokati Bashkim Musabeu falënderoi themeluesit dhe gjithë nxënësit që për çdo të shtunë lënë gjithçka dhe kanë vënë të parën mësimin shqip. Z. Cubi tha se këta nxënës kane modelet më të mira për t’u frymëzuar si Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Realisht Vatra përpos të gjitha përpjekjeve patriotike si dhe luftrave të pamëshirshme të qarqeve të caktuara shoviniste për ta zhdukur farën e Gjuhës Shqipe vazhdon te qëndrojë në mbrojtje si shqiponjë, qe si kurorë shkëlqesie ka gazeten “Dielli” me dy editorët e parë më poliedrikë dhe të vendosur për mbrojtjen e saj si Fan S.Nolin dhe Faik Konicën.
Ne frymëzohemi nga titanë të kombit, sepse “Gjuha e Nolit është Asht e jo tul do të shkruante mjeshtri i fjalës së Gjuhës Shqipe Mitrush Kuteli.
Këto lexime të veprave të patriarkëve na bëjnë të pohojmë gjithmonë dhe përjetësisht se Gjuha Shqipe është Ashti i Kombit, pa Gjuhën Shqipe ne humbasim si kripa në ujë, humbasim identitetin tonë si shqiptar.
Takimi me vatranët e nderuar ishte një ditë e bukur, një e shtunë e dielltë shkurti, vëllazërore, mikpritëse dhe me dhuratën më të shenjte në botë Abetaren dhe libra shqip dhuruar nga Vatra.
Pas dhurimit të librave nxënësit vazhduan rregullisht mësimin.
TV “Alba Life” së shpejti do të transmetojë kronikën e përgatitur rreth vizitës së delegacionit të Vatrës pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx.
Autori i shkrimit është themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe Online dhe mban titullin e lartë “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit” dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
3 shkurt, 2024
Bronx, New York